
Është arrestuar autori i vrasjes së Artur Çangut në Nikël, Eduart Afmataj. Sipas BW, ai është kapur në zonën e Qafë Shtamës, në një banesë të vjetër të braktisur.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima dhe autori kishin prej rreth dy vitesh konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin pranë saj.
Ky veprim ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili ka dalë nga banesa dhe ka nisur një debat me 41-vjeçarin, duke pretenduar se makina i kishte bllokuar rrugën. Debati është përshkallëzuar në konflikt fizik dhe, në një moment, autori i dyshuar ka marrë një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar për vdekje Çangun.
Pas krimit, Afmataj ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke u fshehur deri në momentin e arrestimit.