Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta për korrupsion dhe klientelizëm ndaj mazhorancës socialiste gjatë seancës plenare në Kuvend.
Bardhi u ndal veçanërisht te projektligji për portet turistike, duke pretenduar se kjo nismë ligjore nuk u shërben qytetarëve, por është qepur sipas interesave të ngushta të individëve të paracaktuar.
“Akti i parë, ligji i parë që sjell në Kuvend, është një ligj për dy veta. Ka hallin e 2-3 individëve, sepse unë nuk di më shumë njerëz që mund të kenë interes për të ndërtuar porte turistike,” deklaroi Bardhi, duke iu drejtuar deputetes propozuese të ligjit.
Sipas demokratit, mazhoranca po tregon një standard të dyfishtë me politikat fiskale, duke favorizuar luksin në kurriz të nevojave bazë të popullsisë.
“Kur bëhet fjalë për të ulur çmimin e naftës për jahtet, ngrenë kartonin jeshil, ndërsa kur bëhet fjalë për uljen e çmimit të naftës për qytetarët dhe fermerët, ngrenë kartonin e kuq,” tha ai me ironi.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi renditi disa raste që ai i cilësoi si dështime të investimeve strategjike, të cilat sipas tij janë dhënë pa garë. Ai solli në vëmendje situatën e Aeroportit të Kukësit: “Aeroportin e Kukësit pa garë, ka dalë jashtë funksionit. Gjithë ai investim përdoret nga çunat e Kukësit që bëjnë gara me makina me njëri-tjetrin.”
Një tjetër denoncim i fortë lidhej me Triportin e Vlorës, ku Bardhi pretendoi se dokumentacioni fsheh pronarë që s’kanë lidhje me projektin. “Ç’keni bërë me Triportin në Vlorë? Sot pronari është një pensionist që nuk ka lidhje fare me projektin. Ne nuk jemi kundër zhvillimit, por këto projekte duhen dhënë me garë,” nënvizoi kreu i grupit të PD-së.
Në mbyllje, Bardhi akuzoi qeverinë se ligjin për investimet strategjike e ka kthyer në një mjet për të pasuruar persona të lidhur me pushtetin, duke përmendur emrat e Olta Xhaçkës dhe Pëllumb Gjokës.
“Ju na thoni ne ‘hajdeni në Kuvend dhe votoni ligj për Olta Xhaçkën dhe Pëllumb Gjokën’. Ndërsa ne kemi propozuar 18 ligje, të gjitha në interes të qytetarëve shqiptarë,” përfundoi ai, duke kërkuar transparencë dhe konkurrencë të ndershme në çdo projekt publik.
