Vendosni fjalën kyçe....

Banda e mashtrimit telefonik zhvat 1.2 milionë euro në pak muaj në Greqi, shkatërrohet nga policia


Një operacion i bashkërenduar policor në tre rajone të Greqisë, ku u përfshinë oficerë të kundër-terrorizmit dhe dronë, ka shkatërruar një bandë mjaft të organizuar mashtruesish telefonikë, të cilët përfituan rreth 1.3 milionë euro në pak muaj, njoftuan autoritetet të hënën.

Shtatë anëtarë të dyshuar të bandës u arrestuan gjatë bastisjeve të së premtes në qendër të Athinës dhe në Aharnes, në periferitë veriperëndimore të kryeqytetit, në Korint dhe në Irakleio të Kretës, thuhet në një deklaratë të policisë. Policia është gjithashtu në kërkim të një gruaje 23-vjeçare. Të gjithë përballen me akuza që përfshijnë mashtrimin, mashtrimin kompjuterik, pastrimin e parave dhe vjedhjen e rëndë.

Policia beson se banda ishte aktive të paktën që nga dhjetori i vitit 2025 dhe arriti të vidhte 1.29 milionë euro nga 41 persona në pjesë të ndryshme të Athinës, si dhe në Kozan, Katerinë, Kavallë, Naoussa, Dramë, Veria, Halkidiki dhe Selanik në veri të Greqisë.

Deklarata bënte me dije se banda “e organizuar dhe profesioniste” ishte e ndarë në dy seksione – njëri që punonte në një qendër telefonike me bazë pranë Korintit duke mashtruar njerëz vulnerabël, dhe tjetri që kishte anëtarë në të gjithë Greqinë dhe hynte në veprim sapo një viktimë potenciale “ishte kapur në grep” në lokalitetin e tyre.

Mashtruesit prezantoheshin si kontabilistë, duke i bindur viktimat e tyre t’u jepnin para cash ose bizhuteri që mbanin në shtëpi ose, në mungesë të tyre, kredencialet e tyre bankare ose të kartave të kreditit. Historia më e zakonshme ishte se paratë cash dhe sendet me vlerë duhej të regjistroheshin për të shmangur taksimin.

Sapo viktima sigurohej, dërgohej një ekip terreni për të mbledhur paratë dhe sendet me vlerë nga shtëpia e tyre ose nga ndonjë pikë tjetër e rënë dakord.

“Kishte shumë ekipe operacionale në komunikim të drejtpërdrejtë me qendrën telefonike, të gatshme për të vepruar në të gjithë Greqinë në çdo moment, duke përdorur makina me qira ose makina që u përkisnin të afërmve, në mënyrë që të ishte më e vështirë kapja e tyre,” thuhet në deklaratën e policisë.

Mashtrime të tilla që shënjestrojnë – ndonëse në mënyrë jo të dhunshme – të moshuarit ose njerëzit vulnerabël që mbajnë para dhe sende me vlerë në shtëpi, janë jashtëzakonisht të zakonshme dhe shumë efektive, pavarësisht fushatave të përsëritura të ndërgjegjësimit publik.

Policia njofton rregullisht arrestime të mashtruesve të dyshuar në të gjithë Greqinë, por goditja e njoftuar të hënën është një nga më të mëdhatë në muajt e fundit, shkruan Ekathimerini.