Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Sala në Shkodër: Ligji për kujdesin alternativ garanton rritjen e fëmijëve në familje


 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë një bashkëbisedimi me familjet kujdestare në Shkodër, vlerësoi rolin e tyre në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për fëmijët pa kujdes prindëror, duke theksuar rëndësinë e ligjit të ri për kujdesin alternativ.

Ajo nënvizoi se kjo nismë synon të vendosë në qendër mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve, në përputhje me standardet europiane.

Çdo fëmijë meriton të rritet në një familje. Ligji i Kujdesit Alternativ është hartuar dhe po zbatohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Në qendër të tij është mbrojtja, rritja dhe zhvillimi i fëmijëve pa kujdes prindëror. Synimi kryesor është parandalimi i braktisjes së fëmijëve, si dhe mbështetja financiare dhe sociale e familjeve kujdestare. Nga Shkodra dua të falënderoj nga zemra të gjitha familjet që janë bërë pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm, si dhe stafin dhe partnerët tanë, Bashkimin Europian dhe UNICEF, për mbështetjen në hartimin dhe zbatimin e këtij ligji,” – u shpreh Sala.

Ministrja theksoi se ligji “Për Kujdesin Alternativ në Familje” është një ndër nismat kryesore të qeverisë shqiptare, që synon forcimin e modelit të kujdesit familjar dhe reduktimin e institucionalizimit të fëmijëve.

Sipas saj, kjo reformë lidhet edhe me përmbushjen e kushteve në fushën e të drejtave themelore, në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, familjet kujdestare ndanë përvojat e tyre, duke theksuar ndikimin pozitiv që ky program ka në jetën e fëmijëve dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për këtë model kujdesi.