Vendosni fjalën kyçe....

Begaj: 17 vjet në NATO, Shqipëria faktor sigurie dhe stabiliteti në hapësirën euroatlantike



Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e vendit në aleancën euroatlantike.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm në misionet dhe operacionet e Aleancës.

Në këtë kontekst, Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve, sa herë dhe kudo që është kërkuar prania e tyre.

Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie, duke nënvizuar se vendi do të vijojë të kontribuojë krah aleatëve për paqen dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.

“Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë euroatlantik. Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapësirën euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj. Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura! Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, shkruan Begaj.