
Autoritetet kanë filluar t’u dërgojnë shoferëve në Athinë gjoba të gjeneruara automatikisht nga kamerat fikse dhe ato të montuara në autobusë, të pajisura me inteligjencë artificiale, në kuadër të një aksioni masiv kundër drejtimit të rrezikshëm të mjeteve, njoftuan zyrtarët të hënën.
Një deklaratë e Ministrisë së Financave bëri me dije se 130 gjobat e para u janë dërguar qytetarëve në portalin e tyre gov.gr dhe në kuletat dixhitale (wallets) për shkeljet e regjistruara që nga e shtuna – kryesisht për shoferët që kalojnë me dritë të kuqe ose motoristët që nuk mbajnë kaskë mbrojtëse.
Aktualisht, sipas një skeme pilot, vetëm tetë kamera trafiku me IA janë në punë në ato që ministria i quan pika me “rrezik të lartë” në rajonin e Athinës së Madhe, ndërsa dhjetë autobusë të transportit publik mbajnë kamera të tilla. Megjithatë, ky numër pritet të rritet ndjeshëm në muajt e ardhshëm.
Kamerat fikse janë projektuar për të kapur shoferët që kalojnë me të kuqe, tejkalojnë shpejtësinë, lëvizin ose parkojnë në korsitë e autobusëve, nuk vendosin kaskën apo rripin e sigurimit dhe drejtojnë mjetin duke folur në telefon. Kamerat në autobusë do të regjistrojnë mjetet që përdorin ilegalisht ose parkojnë në korsitë e tyre. Për më tepër, pamjet do të përdoren për të kapur shoferët që nuk kanë paguar taksën rrugore, shkelin rregullat e ndotjes gjatë hyrjes në qendër të Athinës, ose drejtojnë mjete të pasiguruara apo që nuk kanë kaluar kontrollin teknik (kolaudimin).
Ministria paralajmëroi se gjithsej 1,000 kamera fikse me IA do të instalohen deri në fund të vitit në rajonin e Athinës së Madhe, Selanik dhe Kretë, me të tjera që do të pasojnë në vitin 2027, ndërsa rreth 300 kamera të montuara në autobusë do të jenë në funksion deri në fillim të vitit 2027.
Qeveria ka ndërmarrë një aksion të madh kundër drejtimit të rrezikshëm të mjeteve në muajt e fundit, në një përpjekje për të rritur sigurinë rrugore dhe për të reduktuar aksidentet. Penalitetet financiare dhe ligjore për shkeljet e kodit rrugor janë rritur ndjeshëm, ndërsa policia në mbarë vendin ka lëshuar dhjetëra mijëra gjoba, shkruan Ekathimerini,