
Bordi i Transparencës për karburantet do të mblidhet sot për herë të parë pas ngritjes së tij, njoftoi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Demo deklaroi se bordi po grumbullon informacion mbi lëvizjet e çmimeve në treg dhe do të dalë sot me vendim për çmimet e reja.
“Bordi po merr informacion mbi çmimet që kanë lëvizur. Ne duam të garantojmë transparencën, duke nisur me produktet bazë si nafta, dhe të shmangim spekulimet në treg. Qeveria është e gatshme të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët nga impakti i mundshëm,” tha ministri Demo.