Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.
Sipas vendimit, pas shpërndarjes së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.
Si erdhi deri këtu?
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër të pranueshëm, nuk kishin dhënë fryt.
Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme.
Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Kurti.
Osmani e arsyetoi dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kishin dështuar t’i përmbushnin afatet ligjore.
Por, Partia në pushtet nguli këmbë se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i kishte nisur më 5 mars dhe se kishte afat prej 60 ditësh për ta përfunduar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Për partitë opozitare, dy emrat e paraqitur nga partia në pushtet ishin të papranueshëm dhe ato këmbëngulën në marrëveshje politike ose të paraqitej një emër i pranueshëm për të gjithë.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.
Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit./ REL
