Vendosni fjalën kyçe....

Trump po konsideron “përfundimin” e luftës me Iranin


Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-ja po konsideron “përfundimin gradual” të operacionit të saj ushtarak kundër Iranit, ndërkohë që Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të shtunën dhe media iraniane njoftoi se u sulmua objekti i pasurimit bërthamor në Natanz.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se SHBA-ja është afër përmbushjes së objektivave të saj, por këmbënguli që vendet e tjera duhet të marrin udhëheqjen në patrullimin e korsisë jetike detare të Ngushticës së Hormuzit, mbyllja e së cilës kërcënon një tronditje globale energjetike.

Trump dhe administrata e tij kanë dërguar mesazhe të përziera mbi qëllimet e SHBA-së përgjatë luftës, e cila tani po hyn në javën e saj të katërt, duke i lënë aleatët tradicionalë të SHBA-së në vështirësi për t’u përgjigjur. Trump ka sugjeruar se lufta mund të mbyllet pasi kërcënimi iranian po eliminohet, ndërsa në të njëjtën kohë, marina amerikane dhe mjetet e rënda të zbarkimit po drejtohen drejt rajonit në një mision, qëllimet e të cilit nuk janë menjëherë të qarta.

Irani raporton sulm në impiantin e pasurimit bërthamor në Natanz

“Jemi shumë afër arritjes së objektivave tona ndërsa konsiderojmë përfundimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit,” tha Trump në Truth Social. “Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe patrullohet, sipas nevojës, nga kombet e tjera që e përdorin atë — Shtetet e Bashkuara nuk e përdorin!” shtoi ai. “Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të jetë çrrënjosur.”

Më shumë se 2,000 njerëz janë vrarë në Iran që kur SHBA dhe Izraeli sulmuan më 28 shkurt, ndërsa votuesit amerikanë duken gjithnjë e më të shqetësuar nga shenjat se lufta mund të zgjerohet më tej. Infrastruktura jetike e energjisë në Iran dhe në shtetet fqinje të Gjirit është sulmuar, duke rritur çmimet e naftës me 50%.

Tronditjet e çmimit të energjisë po nxisin gjithashtu inflacionin, duke goditur rëndë konsumatorët dhe bizneset — një përgjegjësi e madhe politike për Trump-in ndërsa ai kërkon të justifikojë luftën përpara publikut amerikan para zgjedhjeve të nëntorit, ku ai mund të humbasë kontrollin e Kongresit. Trump gjithashtu akuzoi aleatët e NATO-s, të cilët nuk u konsultuan për luftën, për “friakë” për shkak të hezitimit të tyre për të ndihmuar në hapjen e ngushticës.

Furnizimet iraniane me gaz për Irakun raportohet se u rikthyen pasi rrjedhat u ndaluan nga një sulm izraelit në fushën kryesore të gazit të Iranit, South Pars, të mërkurën. Ndërsa luftimet vazhdonin, media iraniane tha se forcat SHBA-Izrael kishin sulmuar kompleksin e pasurimit Shahid Ahmadi-Roshan në Natanz të shtunën në mëngjes. Ekspertët teknikë konstatuan se nuk kishte pasur rrjedhje radioaktive dhe banorët përreth nuk ishin në rrezik.

Izraeli tha se nuk ishte në dijeni të një sulmi të tillë, ndërsa kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se po hetonte. Rusia e quajti atë “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Izraeli sulmoi gjithashtu Bejrutin, duke thënë se po shënjestronte milicinë libaneze Hezbollah të mbështetur nga Irani, në përhapjen më vdekjeprurëse të luftës që kur Hezbollahu qëlloi mbi Izraelin në mbështetje të Teheranit më 2 mars. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se Izraeli ishte “i vendosur të vazhdonte udhëheqjen e sulmit kundër regjimit terrorist iranian, për të dekapituar komandantët e tij dhe për të asgjësuar aftësitë e tij strategjike derisa çdo kërcënim sigurie ndaj Izraelit dhe interesave të SHBA-së në rajon të hiqet”.

Izraeli tha gjithashtu se kishte sulmuar Teheranin, Karajin dhe qytetin qendror të Isfahanit. Tre anëtarë të një familjeje u vranë në një sulm mbi një ndërtesë banimi në qytetin e Ramsarit, njoftoi media iraniane. Sirenat e sulmit ajror në Izrael paralajmëruan për raketa që në mëngjes herët, duke dërguar miliona njerëz në strehime. Nuk pati raporte të menjëhershme për viktima.

Irani lëshoi dy raketa balistike drejt aeroportit ushtarak SHBA-Britani në ishullin Diego Garcia, 3,800 km larg në Oqeanin Indian, por nuk goditi bazën, raportoi Wall Street Journal.

Rriten çmimet e gazit në Evropë

Çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën deri në 35% këtë javë. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale të naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG), është mbyllur efektivisht për shumicën e anijeve. Aleatët kryesorë të SHBA-së nga Evropa, si dhe Japonia dhe Kanadaja, janë zotuar të bashkohen në “përpjekjet e duhura” për të siguruar kalimin e sigurt, por Gjermania dhe Franca kanë bërë të qartë se luftimet duhet të ndalojnë fillimisht, shkruan Reuters.

Muslimanët festuan Fitër Bajramin të premten dhe iranianët shënuan Nevruzin, Vitin e Ri Persian. Lideri i ri suprem i Iranit, Ayatollah Mojtaba Khamenei — i cili nuk është parë në publik që nga sulmi fillestar izraelit që vrau babanë e tij — tha në deklaratën e tij se iranianët ishin përgjigjur me unitet dhe i kishin dhënë një “goditje çorientuese armikut”