Vendosni fjalën kyçe....

Rezervist i “Iron Dome” akuzohet për spiunazh për Iranin, dyshohet se dërgoi informacione sensitive për para


Një rezervist izraelit, Raz Cohen, 26 vjeç nga Jerusalemi, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprime spiunazhi për Iranin për disa muaj, në këmbim të pagesave.

Sipas aktakuzës, e ngritur nga Prokuroria e Qarkut të Jerusalemit, Cohen ka qenë në kontakt me një agjent iranian që prej muajit dhjetor përmes aplikacionit Telegram, përcjell Ynet.

Ai dyshohet se ka pranuar të kryejë detyra të ndryshme, përfshirë transmetimin e informacioneve sensitive të sigurisë, kundrejt pagesave në kriptomonedha.

Hetuesit bëjnë me dije se në fillim ai ka marrë një pagesë paraprake si provë e angazhimit, ndërsa më pas ka dhënë detaje të hollësishme mbi rolin e tij në sistemin mbrojtës ajror Iron Dome, përfshirë mënyrën e funksionimit, strukturën e baterive dhe procedurat e interceptimit.

Po ashtu, ai dyshohet se ka shpërndarë foto dhe video të realizuara gjatë shërbimit, përfshirë pamje operative, si dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjet e bazave të Forcave Ajrore izraelite dhe të baterive të “Iron Dome”.

Sipas aktakuzës, Cohen ka furnizuar gjithashtu agjentin me të dhëna personale dhe kontakte të individëve të tjerë, me qëllim rekrutimin e tyre të mundshëm për bashkëpunim me operativët iranianë.

Autoritetet theksojnë se ai ishte i vetëdijshëm se ishte në kontakt me elementë iranianë dhe se në total ka përfituar rreth 1,000 dollarë në kriptomonedha për aktivitetin e tij.

Policia izraelite ka paralajmëruar qytetarët për rreziqet e kontakteve me agjentë të huaj, duke theksuar se shërbimet e inteligjencës dhe grupet terroriste vazhdojnë përpjekjet për rekrutime përmes rrjeteve sociale, veçanërisht në kohë lufte.