Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e luftës së Shtetet e Bashkuara kundër Iranit, ndërsa paralajmëroi për intensifikim të operacioneve ushtarake në ditët në vijim.
Në një deklaratë për gazetarët në Pentagon, Hegseth tha se ofensiva amerikano-izraelite, e nisur tre javë më parë, po zgjerohet vazhdimisht dhe se pritet të shënohet “paketa më e madhe e sulmeve deri tani”.
“Deri më sot kemi goditur mbi 7,000 objektiva në Iran dhe në infrastrukturën e tij ushtarake. Sot do të jetë paketa më e madhe e sulmeve… vdekje dhe shkatërrim nga ajri”, u shpreh ai.
Sipas tij, vendimi për përfundimin e luftës do të merret nga Donald Trump, duke shtuar se objektivat e operacionit mbeten të pandryshuara: shkatërrimi i kapaciteteve raketore të Iranit, dobësimi i industrisë së mbrojtjes dhe garantimi që Teherani të mos sigurojë armë bërthamore.
Ndërkohë, operacionet ushtarake janë zgjeruar ndjeshëm edhe në rajonin e Gjirit, ku forcat amerikane kanë goditur dhjetëra anije dhe objektiva detare, në përpjekje për të rihapur Ngushtica e Hormuzit, e cila konsiderohet jetike për tregtinë globale të energjisë.
Hegseth nuk përjashtoi as rritjen e kostos së luftës, duke pranuar se Pentagoni mund të kërkojë mbi 200 miliardë dollarë shtesë nga Kongresi për financimin e operacioneve.
“Duhet financim për atë që është bërë dhe për atë që mund të duhet të bëjmë në të ardhmen”, tha ai, ndërsa theksoi se vetëm në gjashtë ditët e para të konfliktit shpenzimet kanë arritur rreth 13 miliardë dollarë.
Nga ana tjetër, gjenerali amerikan Dan Caine deklaroi se operacionet janë zgjeruar më thellë në territorin iranian, duke synuar depo nëntokësore, baza dronësh dhe pozicione raketore bregdetare.
Deklaratat e Hegseth vijnë në një moment kur lufta po përshkallëzohet dhe çmimet globale të energjisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa mungesa e një afati për përfundimin e konfliktit shton pasigurinë në skenën ndërkombëtare.
