Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria, ndër vendet që ka më pak varësi energjetike në Europë


Në vitin 2024, Bashkimi Europian mbeti thellësisht i varur nga energjia e importuar, me një normë varësie prej 57%, çka do të thotë se gati 6 në 10 njësi energjie të konsumuara në BE vijnë nga jashtë kufijve të saj.

Kjo varësi matet si raporti mes importeve neto dhe konsumit total të energjisë, duke reflektuar një dobësi strukturore të ekonomisë europiane ndaj tregjeve ndërkombëtare të energjisë.

Megjithatë, kjo varësi nuk shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme mes vendeve anëtare. Ekstremet janë të dukshme: vende të vogla dhe pa burime të brendshme energjie si Malta (98%), Luksemburgu (91%) dhe Qipro (88%) varen pothuajse tërësisht nga importet.

Në krahun tjetër qëndrojnë vende si Estonia (5%), Suedia (27%) dhe Letonia (29%), të cilat kanë arritur të mbështeten më shumë në prodhimin vendas, përfshirë burimet e rinovueshme dhe energjinë bërthamore.

Në anën tjetër të spektrit, disa vende kanë arritur të kufizojnë ndjeshëm varësinë, si Estonia (4.6%), Suedia (26.5%), Finlanda (33.0%) dhe Letonia (29.3%), falë një kombinimi të burimeve vendase, energjisë së rinovueshme dhe politikave më të qëndrueshme energjetike.

Ndryshime të forta vihen re edhe në disa ekonomi të mëdha. Gjermania ka rritur varësinë në 66.8%, ndërsa Franca e ka ulur në 41.7%. Holanda paraqet një nga rritjet më të ndjeshme, duke kaluar nga një nivel relativisht i ulët në 2004 në 69.3% në vitin 2024, ndërsa Polonia është rritur ndjeshëm në 45.7%.

Në vitin 2024, kategoria kryesore e produkteve energjetike të importuara nga BE ishte nafta dhe produktet e naftës (përfshirë naftën bruto, që përbën pjesën më të madhe), duke zënë 67% të importeve energjetike në BE. Ajo pasohej nga gazi natyror (24%), lëndët djegëse fosile të ngurta (4%), energjia elektrike (3%) dhe burimet e rinovueshme (2%).

Sa i përket burimit të produkteve, pjesa më e madhe e naftës dhe produkteve të naftës u importua nga Shtetet e Bashkuara (16%), ndërsa gazi natyror erdhi kryesisht nga Norvegjia (30%). Ndërkohë, pjesa më e madhe e importeve të lëndëve fosile të ngurta (kryesisht qymyr) u sigurua nga Australia (31%).

Jashtë BE-së, Norvegjia shfaq një varësi negative shumë të lartë (-677%), duke reflektuar rolin e saj si eksportues i madh energjie.

Shqipëria ka varësi të ulët energjetike, ndryshe nga rajoni, nga nafta bruto

Raporti përfshin të dhëna dhe për Shqipërinë. Në vitin 2024, vendi rezulton një nga shtetet me varësi më të ulët energjetike, me 27.3%, ndërsa një vit më parë treguesi ishte më i lartë prej 47.7%.

Shqipëria ndikohet pozitivisht nga fakti që është një eksportues i naftës, megjithëse nafta që nxirret në vend është e rëndë dhe shitet kryesisht për bitum dhe nuk arrin të përdoret në raste krizash, siç po ndodh së fundmi, duke e lënë vendin realisht të varur nga importet e karburantit për konsum të automjeteve.

Psh, varësinë nga importet e naftës, Shqipëria e ka 40%, ndërsa pjesa më e madhe e vendeve të Europës e kanë 100%. Ndërsa varësinë nga nafta bruto, Shqipëria e ka -407%, pasi është një eksportuese e këtij produkti.

Rajoni ka një varësi më të lartë energjetike. Maqedonia e Veriut (65.3%), Serbia (40.8%), Mali i Zi (33.0%) mbeten më të ekspozuara ndaj importeve. Në nivele të ngjashme me Shqipërinë paraqitet dhe Bosnja dhe Hercegovina (27.8%). Të dhënat e Kosovës, që janë të disponueshme për vitin 2023, tregojnë gjithashtu një varësi të ulët energjetike, me 27.1%.

Sipas metodologjisë së Eurostat, norma e varësisë energjetike është një tregues që mat se në çfarë mase një vend apo rajon mbështetet te burimet e jashtme për të plotësuar nevojat e tij për energji. Çdo vend tjetër në botë, përfshirë edhe vendet e BE-së, konsiderohet burim i jashtëm energjie.

Varësia energjetike përkufizohet si raporti ndërmjet importeve neto të energjisë (importet minus eksportet) dhe konsumit total të energjisë (energjia bruto e disponueshme) të një vendi ose rajoni./Monitor