
Liderët e Bashkimit Evropian mblidhen këtë të enjte në Bruksel në një samit të tensionuar, ku në fokus do të jetë vetoja e kryeministrit hungarez Viktor Orban ndaj paketës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe çmimet e larta të energjisë, përcjell Euronews.
Vendimi i Orbanit për të bllokuar ndihmën në fazën përfundimtare të procesit ka shkaktuar pakënaqësi të madhe mes vendeve anëtare. Ai e lidh këtë qëndrim me ndërprerjen e furnizimeve me naftë përmes tubacionit Druzhba, duke akuzuar presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky se po vepron për arsye politike.
Pavarësisht disa përpjekjeve për zgjidhje, pritshmëritë për një marrëveshje para zgjedhjeve në Hungari më 12 prill mbeten të ulëta. Vetë Orban ka deklaruar se qëndrimi i Hungarisë nuk do të ndryshojë, duke theksuar se “pa naftë nuk ka para”.
Në të njëjtën kohë, liderët evropianë do të diskutojnë edhe për përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e saj në tregjet globale të energjisë. Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump për ndihmë në rihapjen e ngushticës së Hormuzit është pritur me rezerva nga vendet evropiane, të cilat kanë theksuar se nuk do të përfshihen në operacione ushtarake në kushtet aktuale.
Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në operacione për hapjen e kësaj rruge strategjike, por mund të kontribuojë në garantimin e sigurisë së transportit detar vetëm pas përfundimit të konfliktit.
Samiti pritet të trajtojë edhe çështjen e konkurrueshmërisë ekonomike, ndërsa vendet anëtare mbeten të ndara për mënyrën se si duhet të përballohen çmimet e larta të energjisë. Në qendër të debatit është sistemi i tregtimit të emetimeve, për të cilin disa vende kërkojnë lehtësime, ndërsa të tjera e konsiderojnë thelbësor për uljen e ndotjes dhe tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka mbrojtur këtë mekanizëm, duke theksuar se ai ofron siguri për investimet afatgjata dhe nxit përdorimin e teknologjive më të pastra, edhe pse pranon nevojën për përshtatje me realitetet e reja ekonomike.