
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi pas vendimit të GJKKO për dërgimin në gjykim të çështjes së tij dhe Monika Kryemadhit, duke e cilësuar procesin si “drejtësi me regji”.
Meta deklaroi se gjykata, ndonëse konstatoi mangësi në hetime, vendosi kalimin e çështjes për gjykim, duke parashikuar njëkohësisht edhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Ai theksoi se pret nisjen e gjykimit në themel dhe ftoi mediat dhe diplomatë të ndjekin procesin.
Reagimi:
𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞̈𝐬𝐢 𝐦𝐞 𝐑𝐞𝐠𝐣𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐠𝐣𝐲𝐤𝐢𝐦 “𝐦𝐞 𝐫𝐢𝐬𝐢”.
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.