
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-deputetes Monika Kryemadhi dhe tre të tjerëve të pandehur.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes pas një procesi tetëmujor, që nga momenti kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës dhe Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë proces janë edhe Pirro Xhixho, babai i zv. presidentes së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, si dhe Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish-kryetares së LSI, të cilët akuzohen për pastrim parash.
Pas vendimit të gjykatës, Kryemadhi u shfaq jashtë ambienteve të GJKKO-së duke pirë cigare dhe reagoi ashpër për mediat. Ajo e cilësoi procesin si politik dhe deklaroi se do të përballet me akuzat në seancat gjyqësore. “Ne do kënaqemi përditë në seanca,” tha Kryemadhi, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe duke e quajtur atë “një inkuizicion politik”.
Ish-deputetja ngriti pikëpyetje mbi akuzat për korrupsion dhe u shpreh se disa elementë të përmendur nga gjyqtarja nuk ishin prezantuar nga prokuroria, duke përmendur rastin e biznesmenit Adrian Shatku, i cili sipas saj nuk është marrë në pyetje. Ajo shtoi se vendimi mund t’i japë mundësi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të shqyrtuar çështjen e Metës.
Deklaratat e Kryemadhit ishin të forta dhe të guximshme, duke përfshirë edhe akuza për video dhe materiale të pretenduara nga Ergys Agasi, që sipas saj rrezikojnë sistemin e drejtësisë. Avokati i saj, Kujtim Cakrani, komentoi gjithashtu mbi disa pretendime të ish-deputetes, duke përmendur se disa situata dhe video lidhen me jetën private dhe bizneset e të pandehurve, ndërsa Kryemadhi theksoi se një pjesë e institucioneve, përfshirë GJKKO dhe SHISH, janë të përfshira në këtë “videotekë”.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë me seanca për shqyrtim të plotë.