Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen vizitë në Australi në fazën vendimtare të negociatave për tregtinë e lirë



Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë javën e ardhshme në Australi, në një moment kur negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Bashkimit Evropian dhe Kanberrës kanë hyrë në fazën përfundimtare, përcjell Euronews.

Sipas njoftimit të Komisionit, vizita do të zhvillohet nga 23 deri më 25 mars në Sidnej dhe Kanberra, me synimin për të forcuar lidhjet me një partner të besueshëm në rajonin strategjik të Indo-Paqësorit.

Negociatat mes dy palëve kanë qenë të vështira, me sektorin e bujqësisë si pikë kryesore përplasjesh. Bisedimet u ndërprenë në vitin 2023, pasi Australia akuzoi BE-në se nuk ofroi qasje të mjaftueshme në treg për eksportet e saj të mishit. Konkretisht, Brukseli kishte propozuar kuota prej 30 mijë tonësh për mishin e viçit, ndërkohë që pala australiane kërkonte 40 mijë tonë.

Megjithatë, tensionet globale tregtare dhe tarifat e gjera të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në tryezë negociatat gjatë vitit të kaluar, duke nxitur BE-në të diversifikojë partnerët e saj ekonomikë. Aktualisht, rreth 83% e tregtisë së bllokut zhvillohet me vende jashtë SHBA-së.

Në një letër drejtuar liderëve të BE-së përpara një samiti evropian, von der Leyen theksoi se palët janë “në fazën përfundimtare drejt përmbylljes së një marrëveshjeje të re për tregti të lirë”, e cila do të forcojë praninë e Evropës në një nga rajonet më dinamike ekonomike në botë.

Një element kyç i marrëveshjes mbetet balancimi mes interesave bujqësore dhe aksesit në lëndë të para kritike. BE-ja mund të hapë më tej tregun për mishin australian, në këmbim të aksesit më të madh në burime strategjike si litiumi, kobalti, elementët e rrallë dhe hidrogjeni, për të cilat Australia është një furnizues i rëndësishëm.

Marrëveshja me Australinë pritet të ketë edhe peshë gjeopolitike, në një rajon ku rivaliteti me Kinën është në rritje.

Nëse finalizohet, kjo do të ishte një tjetër arritje për BE-në, pas marrëveshjeve të fundit me Indinë, Meksikën, Zvicrën dhe Indonezinë. Paralelisht, blloku vijon negociatat me Filipinet, Tajlandën, Malajzinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe me disa vende në Afrikën Lindore dhe Jugore.

“Bota dëshiron të tregtojë me Evropën,” është shprehur von der Leyen, duke theksuar se rrjeti tregtar i BE-së nuk është zgjeruar kurrë kaq shpejt.