Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Ushtria iraniane është shkatërruar, por lufta nuk ka përfunduar



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të dielën se ushtria e Iranit është “shkatërruar”, duke thënë se SHBA-ja ka neutralizuar mbrojtjen ajrore të vendit dhe ka dobësuar ndjeshëm forcat e tij ushtarake, përcjell Fox News.

I pyetur nëse është gati të shpallë zyrtarisht fitoren ndaj Iranit, Trump tha se nuk e konsideron ende konfliktin të përfunduar, por theksoi se dëmi ndaj ushtrisë iraniane është i madh.

“Nuk ka arsye për ta bërë këtë. Mendoj se mund të them vetëm se ata janë shkatërruar,” u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One. “Nëse do të tërhiqeshim tani, do t’u duheshin dhjetë vjet ose më shumë për t’u rindërtuar. Por ende nuk po deklaroj se gjithçka ka përfunduar.”

Trump shtoi se operacionet ushtarake të SHBA-së kanë neutralizuar forcën ajrore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, duke pretenduar se vendi “nuk ka më asnjë mbrojtje ajrore”.

Ai gjithashtu argumentoi se kapacitetet e Iranit për raketa dhe dronë janë reduktuar ndjeshëm.

Presidenti amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë “objektiva të ngjashme” në lidhje me Iranin dhe se ushtritë e dy vendeve janë “shumë mirë të koordinuara”.