
Kryedemokrati Berisha tha sot se programi i PD-së u jep zgjidhjeve problemeve të rënda me të cilat përballet vendi, probleme që janë shkaktuar nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të mendohet dhe babëzia e qeverisë.
Berisha përmendi incineratorin e Tiranës që nuk ekziston fare, rrënimi i ekonomisë së familjeve shqiptare, rritja e çmimeve dhe e varfërisë.
“Sonte çelim tiparin e një diskutimi të gjerë intensiv të programit tonë, me të cilin ne duhet t’u japim përgjigjen më të plotë problemeve të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria.Probleme të krijuara nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të përfytyrohet, nga vjedhjet 100% të fondeve siç është djegësi i Tiranës, tek vjedhjet 90% të veprave të tjera publike, nga rrënimi i familjeve shqiptare për shkak të rritjes së madhe të çmimeve dhe pothuaj në raport me çmimet një mosrritje kurrkund e rrogave dhe pensioneve, çka ka bërë që 49% e shqiptarëve të jenë në varfëri ose rrezik varfërie. Shërbimet në këtë vend kanë pësuar një metamorfozë asgjësuese për rregullin dhe cilësinë që duhet të kenë.” – tha Berisha.
Ai shtoi më tej se kryeministri Rama nuk ka legjitimitet në qeveri duke qenë se i ka grabitur zgjedhjet.
“Ndërkohë mandati, që e quan kreu i organizatës kriminale Edi Rama, është mandati kryekëput i krimit.Nuk po e them këtë për t’i vënë një epitet, por e them këtë sepse ky mandat ka zero legjitimitet.Pra, Edi Rama me farsën elektorale nuk ka asnjë ditë legjitime në pushtet.” – shtoi kryedemokrati.