Mojtaba Khamenei, i cili sipas disa raportimeve është emëruar lideri i ri suprem i Iran pas vdekjes së babait të tij, thuhet se ndodhet në gjendje kome pasi u plagos rëndë në një sulm ajror.
Sipas raportimit të tabloidit britanik The Sun, 56-vjeçari, djali i liderit të ndjerë suprem Ali Khamenei, ka humbur të paktën njërën këmbë dhe ka pësuar dëmtime të rënda në stomak ose mëlçi.
Nuk është e qartë nëse plagosja ndodhi në të njëjtën ditë me vdekjen e babait të tij më 28 shkurt, gjatë sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli.
Burime të cituara nga media britanike pretendojnë se Khamenei ndodhet nën kujdes intensiv në Sina University Hospital, në Tehran, ku një pjesë e spitalit është izoluar dhe ruhet nga masa të forta sigurie.
Sipas të njëjtave burime, trajtimi i tij po drejtohet nga Mohammad Reza Zafargjani, i cili është ministër i Shëndetësisë dhe një nga kirurgët kryesorë të traumës në Iran.
Një burim anonim nga Teherani, që thuhet se ka kontakt me stafin mjekësor të spitalit, deklaroi se gjendja e Khameneit është “shumë serioze”. Sipas mesazhit të tij: “Një ose dy nga këmbët i janë amputuar. Mëlçia ose stomaku i janë dëmtuar rëndë. Ai duket se është gjithashtu në gjendje kome.”
Pretendimet nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet iraniane dhe nuk ka njoftime të pavarura që të vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tij.
Raportimet vijnë në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm pas operacionit ushtarak të SHBA dhe Izraelit kundër Iranit, të njohur si Operation Epic Fury, që sipas mediave ndërkombëtare ka shkaktuar tensione të mëdha në rajon dhe në tregjet globale të energjisë.
