Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi vendos sot për imunitetin e Ballukut, kërkesa e SPAK për arrestimin e saj në votim



Kuvendi i Shqipërisë
do të vendosë sot mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, një çështje që pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike.

Sipas rendit të ditës, kjo pikë është vendosur e para në axhendë, menjëherë pas nisjes së seancës plenare.

Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e deputetes, duke argumentuar se ajo ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim.

Megjithatë, Partia Socialiste e Shqipërisë i ka dalë në krah deputetes së saj dhe ka paralajmëruar se do të votojë kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit.

Sipas agjendës së publikuar nga Kuvendi për seancën e 12 marsit, fillimisht pritet të marrë fjalën vetë Belinda Balluku. Më pas do të paraqiten dy raportet e përgatitura në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nga përfaqësuesit e opozitës dhe të shumicës parlamentare.

Fillimisht do të prezantohet raporti i opozitës, i hartuar nga anëtarët e Partisë Demokratike në Këshill, ndërsa më pas edhe raporti i shumicës parlamentare. Në fund, çështja do të hidhet në votim në seancën plenare.

Projektvendimi kërkon shumicë të thjeshtë votash për miratim.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të këmbëngulë për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e cilësuar këtë një test për drejtësinë dhe për luftën kundër korrupsionit.

Për shkak të qëndrimeve të forta politike nga të dyja palët, priten përplasje dhe tensione gjatë seancës plenare, ndërsa opozita ka paralajmëruar edhe protestë jashtë godinës së Kuvendit.