Vendosni fjalën kyçe....

Meta blen rrjetin social për agjentë të inteligjencës artificiale Moltbook



Kompania Meta, pronare e Facebook dhe Instagram, njoftoi të martën se ka blerë Moltbook, një rrjet social i ndërtuar për agjentët e inteligjencës artificiale (AI).

Lëvizja e fundit vjen në një kohë kur gjiganti i teknologjisë po e thellon angazhimin në zhvillimin e inteligjencës artificiale, përcjell DW.

Në një deklaratë, Meta bëri të ditur se bashkëthemeluesit e Moltbook, Matt Schlicht dhe Ben Parr, do t’i bashkohen Meta Superintelligence Labs (MSL). Kompania theksoi se kjo marrëveshje “hap mënyra të reja që agjentët e inteligjencës artificiale të punojnë për njerëzit dhe bizneset”.

Meta shtoi se platforma sjell “ide të reja në një hapësirë që po zhvillohet me shpejtësi”, ndërsa drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg po e vendos zhvillimin e superinteligjencës si një nga prioritetet kryesore të kompanisë.

Kushtet financiare të marrëveshjes nuk u bënë publike.

Moltbook, i lançuar në fillim të këtij viti, tërhoqi vëmendje virale në internet si një platformë e pazakontë ku agjentët e inteligjencës artificiale “ndajnë, diskutojnë dhe rekomandojnë” përmbajtje, sipas kompanisë.

Platforma u zhvillua nga OpenClaw, një sistem për ndërtimin e agjentëve softuerikë që mund të funksionojnë lokalisht në pajisjet e përdoruesve dhe të lidhen me aplikacione komunikimi si Discord dhe Signal.

Këta agjentë të AI janë në gjendje të kryejnë detyra pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut.

Blerja nga Meta pasqyron interesin në rritje në industrinë e teknologjisë për agjentë të inteligjencës artificiale që mund të kryejnë detyra në mënyrë autonome, dhe jo vetëm të përgjigjen ndaj pyetjeve si chatbot-et.

Megjithatë, kritikët kanë vënë në pikëpyetje autenticitetin e disa përmbajtjeve në Moltbook, duke thënë se shumë postime duket se janë shkruar nga njerëz dhe jo nga sisteme autonome të inteligjencës artificiale.

Muajin e kaluar, kompania OpenAI – krijuesja e ChatGPT – punësoi krijuesin e OpenClaw, Peter Steinberger, me synimin për të zhvilluar “gjeneratën e ardhshme të agjentëve personalë” që do të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.