Vendosni fjalën kyçe....

Kush është njeriu i “punëve të pista”, pas bëmave te AKSHI e Doganat, bën çorbë Bashkinë e Tiranës: Dosja e SPAK për ELDI HOXHËN


Një individ me një dosje penale të rëndë mbi shpinë, i cili paraqitet rregullisht në Prokurorinë e Posaçme, duke qenë se ka edhe masë sigurie, është një nga njerëzit hije të klaneve brenda mazhorancës që po vepron në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për Eldi Hoxhën, Sekretar i Përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës, i cili u emërua në muajin maj të vitit 2025 në atë pozicion, por ditën që u prezantua në bashki, SPAK-u e akuzoi për pjesëmarrje në organizatë kriminale, krijim i grupit të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.

Akuza tepër të rënda, por që tashmë janë bërë të “modës”, pasi s’u bëjnë përshtypje askujt, madje as eprorëve të tyre që vijojnë t’i mbajnë në punë, duke u besuar “punët e pista” në institucionet që i emërojnë. Burime nga Bashkia e Tiranës thanë për redaksinë e Vox News se Eldi Hoxha njihet si “spiuni” në atë institucion, personi që ngre “kurthe” dhe insinuon situata të paqena. Ai “raporton” rregullisht te krerët që e emëruan në atë detyrë, duke bërë çorbë gjithë punën në Bashkinë e Tiranës.

Eldi Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë

Duke qenë se mban një pozicion kyç si Sekretar i Përgjithshëm, Eldi Hoxha ka akses në rrogat, shpërblimet apo edhe punësimet në Bashkinë e Tiranës, teksa rekrutimet e gjithçka tjetër, i bën me “urdhër nga lart”. Një situatë aspak e favorshme për banorët e Tiranës, të cilët po shohin dita-ditës që në krye të disa institucioneve vendore janë vënë persona të paaftë, që s’kanë lidhje me detyrën, por vetëm që kështu do “shefi”.

Pavarësisht se Eldi Hoxha është thirrur nga SPAK-u, ka akuza të rënda, ai vijon i qetë detyrën, duke i cilësuar banorët e Tiranës si “mallra” dhe jo si frymor, pasi e kaluara e tij, në poste drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e përndjek. Dosja e SPAK-ut është pikërisht për veprimet e Eldi Hoxhës te Doganat, duke lejuar kontrabandë.

Faksimile: Dosja e Prokurorisë së Posaçme për Eldi Hoxhën, i cili po hetohet me masën e sigurisë ndalim i daljes nga Shqipëria

Vox News ka hulumtuar dosjen e Prokurorisë së Posaçme për Eldi Hoxhën, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë ndalim i largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Posaçme ka zbatuar masën e sigurisë më 28 maj 2025, ditën kur ai është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës.

Para muajit maj 2025, Hoxha ka qenë në postin e Drejtorit të Departamentit Operativ-Hetimor prej muajit nëntor 2020. Pikërisht gjatë kësaj detyre, ka lejuar në masë kontrabandën e cigareve, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën e 53 milionë eurove.

Ai është denoncuar disa herë për shkelje të rënda, duke favorizuar biznese të ndryshme. Ndaj tij janë zbatuar dy masa sigurie “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Hoxha është pjesë e një grupi kriminal që lejuan kontrabandën e një sasie të madhe cigaresh. Skema ishte e tillë që cigaret transportoheshin nga Shqipëria drejt vendeve të BE, pa paguar më parë doganën.

Faksimile: Eldi Hoxha akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal, kontrabandë dhe shpërdorim detyre

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme detajohet se 36 personat, ku bën pjesë edhe Eldi Hoxha, akuzohen për veprat penale të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe grupi i strukturuar kriminal.

Gjithashtu, grupi akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal si dhe kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. Hoxha akuzohet edhe për shpërdorim detyre!

Faksimile: Zyrtari aktual i Bashkisë së Tiranës ka qenë më parë i punësuar te AKSHI, Doganat dhe në Bashkinë e Vlorës

Vox News ka mësuar se Eldi Hoxha gjatë kohës që ka qenë drejtor i Departamentit Operativ-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka hapur në QKB një nipt, si person fizik. Një skemëe përdorur pothuajse nga të gjithë drejtorët apo ish-drejtorët e Doganave, për të cilët ka dyshime se, pagesat që merrnin pikërisht nëpërmjet këtyre nipteve, ishin në fakt pjesa e ryshfetit. Eldi Hoxha e ka pasur këtë nipt për ushtrimin e veprimtarisë në fushën ligjore, këshillime për çështje ligjore. Gjithashtu objekti ishte konsulenca të ndryshme ligjore për shoqëritë tregtare, etj.

Cilat kompani apo shoqëri tregtare kanë marrë konsulencën e Eldi Hoxhës? Sa është paguar Eldi nga këto shoqëri? A mos vallë këto shoqëri që i ka këshilluar kanë bërë edhe fatura doganore? Pagesat, nëse ka marrë, a mos janë në fakt ryshfeti apo haraçi? Normalisht, Prokuroria e Posaçme ka në dorë një hetim dhe nëse do t’i shtrijë hetimet edhe te pasuria padyshim që do të gjejë edhe të dhëna të tjera.

Prokuroria duhet t’a hetojë Eldi Hoxhën edhe për postet publike që ka mbajtur, krahas Bashkisë së Tiranës apo edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ai ka qenë drejtor në Bashkinë e Vlorës, gjatë kohës që ka qenë kryetar Dritan Leli. Gjithashtu ka qenë edhe përgjegjës i sektorit juridik pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Ka mbajtur postin e Drejtorit në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Logjistikës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe Drejtori i Drejtorisë së Prokurimeve pranë shoqërisë Albetrol sha. Institucione me lekë, disa prej të cilave nën lupën e SPAK-ut. Ka dyshime se Eldi Hoxha, në gjithë postet e mësipërme, ka bërë “punët e pista”. Njeriu që është përdorur nga vartës apo nga klane të caktuara brenda mazhorancës. Madje, vijon që të përdoret edhe sot!

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Vox News