Vendosni fjalën kyçe....

Nafta arrin në 198 lekë/litër, Ministria e Ekonomisë mbledh kompanitë e hidrokarbureve dhe paralajmëron kontrolle


Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur sërish këtë të martë, duke arritur në 198 lekë për litër në pikat kryesore të karburanteve në vend.

Sipas të dhënave, çmimi është rritur me rreth 25 lekë për litër që nga 4 marsi, kur u regjistrua rritja e parë.

Për shkak të situatës së krijuar, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka zhvilluar një takim me kompanitë e hidrokarbureve për të diskutuar furnizimin me karburant dhe shtrenjtimin e çmimeve.

Në këtë takim është diskutuar kryesisht për forcimin e kontrolleve ndaj kompanive të tregtimit të karburanteve.

Sipas informacioneve, kontrollet nga Ministria e Financave dhe institucionet e energjisë pritet të shtohen çdo ditë dhe në rast të konstatimit të abuzimeve do të vendosen masa ndëshkuese, nga sekuestro deri te gjoba deri në 10 herë më të larta se aktualisht.

Ndërkohë, Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për të mbajtur situatën nën kontroll, por nuk pritet as rikthimi i Bordi i Transparencës së Karburanteve dhe as rishikim i taksave mbi karburantet.

Nga ana tjetër, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërtojë një impiant për përpunimin e naftës shqiptare, duke paralajmëruar se nëse situata në tregjet ndërkombëtare përkeqësohet, çmimi i naftës mund të arrijë deri në 250 lekë për litër, siç ndodhi në fillim të luftës në Ukrainë.