
Kryeministri Edi Rama komentoi rastin e Belinda Balluku, duke theksuar se nuk ka as të drejtë e as të lejuar ligjërisht që të ndërhyjë në hetimet ndaj saj.
Rama shtoi se nuk ka ndërmend ta shpallë të pafajshme apo të shkelë vijën e kuqe që ka vendosur përpara deputetëve pas miratimit të reformës në drejtësi.
“Ndërkohë unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që se kanë idenë e kësaj detyre, se kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.
Nuk kam ndërmend t’iu them juve që e njihni më mirë se tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht t’i dalë e vetja.
Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformë në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia.
Gjëra që i takojnë avokatit apo prokurorit dhe gjykatësit, jam apo s’jam unë dakord me këta të fundit”, tha Rama.