Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partia Demokratike e Shqipërisë, Genta Vangjeli, ka kërkuar transparencë për përdorimin e rreth 1.2 milionë eurove fonde publike për rikonstruksionin e Vila 31, duke ngritur pikëpyetje ndaj deklarimeve të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Vangjelit, në janar 2025 Rama deklaroi në një konferencë për shtyp se rinovimi i Vilës 31 ishte realizuar nga një studio arkitekturore ndërkombëtare.
Ndërkohë, në njoftimet publike në rrjetet sociale dhe në faqen zyrtare të rezidencës artistike thuhet se godina u rinovua në prill 2025 me mbështetjen e fondacionit francez Art Explora.
Megjithatë, sipas dokumenteve që paraqet opozita, më herët janë prokuruar rreth 1.2 milionë euro nga fondet publike për rikonstruksionin e godinës nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me miratim të kryeministrit.
Në këto dokumente rezulton se kompania “Valona Konstruksion shpk” është shpallur fituese e tenderit dhe më 21 korrik 2023 ka lidhur kontratën nr. 144/17 për realizimin e punimeve me afat 12 muaj.
Vangjeli thekson se këto të dhëna krijojnë dyshime për mënyrën se si janë përdorur fondet publike dhe kërkon sqarime konkrete nga qeveria.
Ajo ngriti dy pyetje kryesore:
Çfarë punimesh ka realizuar konkretisht kompania fituese e tenderit “Valona Konstruksion shpk”?
Ku kanë përfunduar 1.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Sipas saj, transparenca për fondet publike është një detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve dhe çdo mospërputhje mes deklarimeve publike dhe dokumenteve zyrtare duhet të sqarohet menjëherë.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Në janar 2025, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me rastin e hapjes së rezidencës artistike Vila 31 x Art Explora, ku u deklarua publikisht se rinovimi i kësaj godine ishte kryer nga një studio arkitekturore ndërkombëtare. Në njoftimet publike në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Vilës 31 x Art Explora bën me dije se në Prill 2025, godina është rinovuar me mbështetjen e fondacionit Art Explora në Francë.
Restaurimi i Vilës 31 është prezantuar si një punë e kryer nga studio arkitekturore NeM Architects. Por dokumentet zyrtare tregojnë një histori tjetër. Rezulton se 1.2 milion euro nga fondet publike janë prokuruar më herët për rikonstruksionin e Vilës 31 nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me miratim të Kryeministrit. Madje, operatori ekonomik ‘Valona Konstruksion shpk’ është shpallur fitues i tenderit, dhe më 21 korrik 2023 ka lidhur kontratën nr. 144/17 me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me afat realizimi 12 muaj, pikërisht për rikonstruksionin e Vilës 31.
Këto fakte ngrenë dyshime serioze për mënyrën se si janë përdorur paratë e shqiptarëve. Nëse rinovimi i kësaj godine është kryer nga studio e huaj me mbështetje të një fondacioni ndërkombëtar, atëherë Kryeministri ka detyrimin të sqarojë publikisht:
Çfarë punimesh ka realizuar konkretisht operatori fitues Valona Konstruksion shpk?
Ku kanë përfunduar 1.2 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Transparenca për fondet publike nuk është çështje propagande, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve. Çdo mospërputhje mes deklarimeve publike dhe dokumenteve zyrtare kërkon sqarim të menjëhershëm dhe të plotë, sepse shqiptarët nuk mund të trajtohen si spektatorë të propagandës së qeverisë, ndërsa miliona euro nga taksat e tyre mbeten pa përgjigje.
