
Seanca plenare u shoqërua me tensione, ndërsa opozita bllokoi foltoren duke kërkuar që fjala t’i jepej kreut të PD-së, Sali Berisha.
Fillimisht, Berisha zgjodhi të komunikojë përmes një transmetimi “live” në rrjetet sociale, ku iu drejtua qytetarëve me akuza të forta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.
Ai deklaroi se “koha e diktaturave ka mbaruar” dhe se shqiptarët nuk do të pranojnë të jetojnë nën, sipas tij, një regjim diktatorial.
“Do i shkosh në burg Lubisë apo jo ti Klos? Do i bësh vizitë apo po pret t’i shkojë dhe Rama pas. Bën sikur nuk dëgjon. Po të pyes, do i shkosh në qeli. Forcë në botë që ta ndalojë atë nuk ka. Do e shihni, u them unë ju. Prisni, zbatoni urdhra, por u garantoj se do votoni kokëvarur që ajo të shkojë në burg. Dhe pastaj edhe të tjerët.
A e shihni çfarë ndodh me Ajatollahun apo jo? Koha e diktatorëve ka ikur. Shqiptarët janë zgjuar, shqiptarët shohin diktatorët të bien njëri pas tjetrit. Mendoni se do durojnë Edi Ramën? Jo, koha e tij ka marrë fund. Koha juaj ka marrë fund. Vendi juaj është atje ku shkojnë kriminelët. Histeri, histeri politike duartrokitja juaj. Po shihni se si do dalë kjo duartrokitje. Prisni, prisni!”, tha ai.
Pas një ndërprerjeje 5-minutëshe të shpallur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, Berisha mori fjalën në foltore, ku vijoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai e cilësoi Ballukun “një çështje ndërkombëtare”, duke e lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE dhe duke akuzuar mazhorancën për mbrojtje politike.
“Pseudo-mazhoranca bën gjithçka të fshehë e të maskojë krimin e shëmtuar ndaj shqiptarëve me emërimin në poste ministrore të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Lubi Ballukut, persona kokë e xhep të lidhur me Lubinë, dhe që kanë vetëm një të ardhme në qeli me Lubinë.
Tronditëse është që në Kuvend s’mund të kishte sot asnjë çështje veç imunitetit të Ballukut, sado ta shtyni ju, ju siguroj që s’ka forcë në botë të mbrojë atë dhe krimet e saj.
Ka vjedhur qindra miliarda, është superbandite që ka përdorur bandat për të kërcënuar SPAK. Asaj i dilni zot ju sepse jeni mëkatarë. Nuk them se jeni të gjithë, por udhëhiqeni nga banditë e kriminelë. Lubia është një çështje ndërkombëtare përderisa Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit.
Sot duhet të kishit votuar arrestimin e Ballukut, por jeni të gjithë pengje të saj. Ministra, mos u bëni mercenarë të Lubisë. Keni hedhur firma te ajo (ministrat e rinj). Mos i ndiqni këta, se këta janë të lidhur këmbë e xhep me Ramën”, u shpreh Berisha.
Në vijim, ai përmendi edhe nderimin e figurës së Adem Jashari, duke akuzuar mazhorancën se nuk dënon gjenocidin serb në Kosovë.
“Nderuam sot dhe bëmë mirë që nderuam sot legjendën Adem Jasharin. Por ulni kokën, se nuk pranoni gjenocidin në Kosovë. Nuk votoni gjenocidin serb në Kosovë. Uleni kokën! Vetëm fëmijë janë 2 mijë. Shkoni dhe vizitoni muzeumin në Prishtinë. Pastaj mbani zi! Të dënoni gjenocidin e serbëve në Kosovë. Por ju nuk keni asgjë lloj, jeni nënshtruar në të keqen banale, silleni si automatë dhe nuk mbani përgjegjësi”, deklaroi ai.
Seanca u zhvillua në një klimë të tensionuar, me akuza të forta politike dhe me kërkesën e opozitës që çështja e imunitetit të Ballukut të trajtohej si prioritet absolut në rendin e ditës.