Vendosni fjalën kyçe....

PD në takim me ambasadorët e Kroacisë dhe Sllovakisë, rikonfirmon mbështetjen për integrimin europian



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i shoqëruar nga deputeti Klevis Balliu, u takuan me ambasadorët e Kroacisë, Zlatko Kramarić, dhe të Sllovakisë, Albin Otruba. Gjatë takimit, u rikonfirmua mbështetja e plotë e Grupit Parlamentar të PD për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fokus të diskutimit ishte nevoja që integrimi europian të bazohet në standarde të qarta demokratike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit. Bardhi dhe Balliu shprehën shqetësimin për situatën aktuale në vend dhe për mungesën e vullnetit të qeverisë për të përmbushur këto standarde.

Në një deklaratë për media, Bardhi tha se qeverisja e Edi Ramës nuk synon integrimin në standardet europiane, duke theksuar se ajo ka cenuar thelbin e demokracisë, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe është qeveria më e korruptuar në Europë. Ai përmendi raste të fundit si çështja e heqjes së imunitetit të ish-ministres Belinda Balluku dhe aferën e AKSHI-t, si prova të lidhjes së qeverisë me krimin e organizuar.

Bardhi theksoi se Shqipëria meriton një qeveri që e sheh integrimin europian si mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të forcuar demokracinë funksionale, ndërsa Rama sipas tij nuk garanton këto standarde dhe është peng i korrupsionit të tij.