
Qarkullimi i automjeteve në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas është rikthyer normal që prej mesditës së djeshme, ndërsa punimet në segmentin e dëmtuar në zonën e “Arrave të Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, do të rifillojnë pasi të përfundojë ndërtimi i një rruge alternative.
Segmenti u godit nga rrëshqitje masive të dheut, që shkaktuan zhvendosjen dhe fundosjen e një sipërfaqeje prej rreth 1,500 m², duke shkatërruar një pjesë të rrugës ekzistuese, segmentin në ndërtim të Korridorit VIII, trasenë hekurudhore Librazhd–Xhyrë, si dhe rrjetin e Tensionit të Lartë. Për disa muaj, punimet u pezulluan për shkak të rrezikut gjeologjik.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka urdhëruar që në zonën e prekur të mos kryhen ndërhyrje deri në përfundimin e një rruge alternative prej 1.3 kilometrash, e cila do të ndërtohet paralel me trasenë hekurudhore dhe përgjatë lumit Shkumbin. Kjo rrugë do të devijojë përkohësisht trafikun dhe do të mundësojë rifillimin e punimeve të pezulluara në segmentin kryesor.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri me dije se ndërtimi i rrugës alternative pritet të zgjasë minimalisht 60 ditë, ndërsa pas hapjes së saj për qarkullim do të rifillojnë ndërhyrjet në segmentin e dëmtuar nga rrëshqitjet masive të dheut.
Zona e Arrave të Gurrës konsiderohet një pikë kritike për shkak të kushteve gjeologjike, ndërsa institucionet po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e projektit të rëndësishëm infrastrukturore të Korridorit VIII.
Rikthimi i qarkullimit ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen drejt juglindjes së vendit, por stabilizimi përfundimtar i segmentit mbetet sfidë për muajt në vijim.