Forcat ajrore izraelite bombarduan kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke vrarë të paktën 31 persona dhe duke plagosur 149 të tjerë, pasi Hezbollahu njoftoi se kishte lëshuar raketa dhe dronë drejt një baze ushtarake në Haifa, në veri të Izraelit, duke zgjeruar më tej konfliktin rajonal.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve, viktimat u regjistruan pas sulmeve izraelite në periferi jugore të Bejrutit. Pamjet nga vendngjarja treguan re të dendura tymi që ngriheshin mbi zonat e goditura, përcjell Al Jazeera.
Hezbollahu, grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, tha se sulmi i tij ishte në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, “në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij” dhe “në përgjigje të agresioneve të përsëritura izraelite”.
Në një deklaratë, organizata theksoi se “vazhdimi i agresionit izraelit dhe atentatet ndaj liderëve, të rinjve dhe popullit tonë na japin të drejtën të mbrohemi dhe të përgjigjemi në kohën dhe vendin e duhur”.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se Hezbollahu do të paguajë një “çmim të rëndë” për sulmet ndaj Izraelit dhe deklaroi se sekretari i përgjithshëm i grupit, Naim Qassem, është tashmë “një objektiv i shënjuar për eliminim”.
Katz shtoi: “Kushdo që ndjek rrugën e Khameneit do ta gjejë veten shumë shpejt në thellësitë e ferrit bashkë me anëtarët e dështuar të boshtit të së keqes.”
Ushtria izraelite deklaroi se po sulmonte “me forcë Hezbollahun” në të gjithë territorin e Libanit dhe se nuk do të lejojë që organizata të përbëjë kërcënim për Izraelin apo të dëmtojë banorët e veriut të vendit.
Më vonë, ushtria tha se kishte goditur anëtarë “të lartë” të Hezbollahut në Bejrut dhe një figurë “kyçe” në jug të Libanit, pa dhënë detaje shtesë.
Izraeli u bëri thirrje banorëve në më shumë se 50 fshatra në jug të Libanit dhe në Luginën Bekaa, përfshirë qytetin Bint Jbeil, të evakuonin shtëpitë dhe të qëndronin të paktën një kilometër larg ndërtesave.
Përshkallëzimi shënon një zgjerim serioz të përplasjes, që po merr përmasa të një lufte rajonale midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nga njëra anë, dhe Iranit me aleatët e tij nga ana tjetër.
Hezbollahu dhe Izraeli kishin arritur një armëpushim në nëntor 2024, por autoritetet libaneze kanë akuzuar Izraelin për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes, me sulme pothuajse të përditshme në territorin libanez.
Në janar, Bejruti paraqiti një ankesë në OKB, duke dokumentuar mbi 2,000 shkelje të sovranitetit të Libanit gjatë tre muajve të fundit të vitit 2025.
Kryeministri libanez Nawaf Salam e cilësoi sulmin e Hezbollahut si “një akt të papërgjegjshëm dhe të dyshimtë që rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e Libanit dhe i jep Izraelit pretekste për të vazhduar agresionin”.
Ai u zotua se autoritetet do të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur popullin libanez dhe për të identifikuar përgjegjësit.
