Vendosni fjalën kyçe....

Rama viziton ish-vilën e Enver Hoxhës: Të rinjtë janë traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme



Kryeministri Edi Rama ka vizituar ambientet e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, e cila tashmë funksionon si rezidencë për artistët e huaj nën fondacionin Art Explora.

Rama u shpreh se gjatë vizitës së shkurtër ka takuar të rinj të talentuar, të cilët, sipas tij, ishin “traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme”, duke iu referuar protestës së opozitës që goditi ndërtesën.

Kryeministri e cilësoi ngjarjen si një sulm të verbër, “i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush”.

Ai kritikoi edhe gjyqtarët që lirojnë “zjarrvënësit e rrezikshëm”, duke thënë se sa herë arrestohen nga policia, ata janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma.

Rama përfundoi reagimin duke theksuar:

“Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”

Deklarata e kryeministrit përfshin një kritike të fortë ndaj protestuesve dhe sistemit të drejtësisë, duke shprehur shqetësim për ndikimin që ngjarja ka pasur tek artistët dhe ambienti kulturor.