Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Ibrahimaj: Shqipëria synon të përdorë inteligjencën artificiale në të gjithë ciklin e prokurimeve publike


Shqipëria synon të ndërtojë një sistem të ri prokurimesh publike në bashkëpunim me Banka Botërore, duke integruar inteligjencën artificiale në të gjithë ciklin e tenderëve, nga shpallja deri te përzgjedhja e fituesit.

Gjatë një forumi me përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të fushës për nxitjen e pjesëmarrjes në procedurat e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria mund të jetë vendi i parë që aplikon inteligjencën artificiale në të gjitha fazat e prokurimit publik.

Besoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale në të gjitha proceset e prokurimit. Ka vende të cilat e përdorin për një pjesë të procesit, por jo në të gjithë procesin”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, sistemi i ri synon të rrisë transparencën, të shkurtojë afatet dhe të reduktojë ndërhyrjet manuale në procedura, duke forcuar besimin dhe konkurrencën në përdorimin e fondeve publike.

Ministrja theksoi se sa më shumë biznese të marrin pjesë në tenderë, aq më e fortë bëhet konkurrenca dhe aq më shumë përfitojnë qytetarët në cilësi dhe çmime.

Ajo njoftoi gjithashtu se, pas ndryshimeve të fundit ligjore, OBP do të marrë përgjegjësinë edhe për prokurimet në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Kjo është një punë e përbashkët. Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem prokurimi sa më transparent, efikas dhe gjithëpërfshirës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përgatitjes së bizneseve shqiptare për tregun europian”, deklaroi Ibrahimaj.

Administratorja e OBP-së, Arlinda Pogaj, prezantoi rolin e institucionit në standardizimin dhe konsolidimin e procedurave të prokurimit, duke theksuar se synohet ndërtimi i një modeli më të parashikueshëm dhe më të hapur për tregun.

“OBP është e angazhuar për të krijuar rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë. Qëllimi ynë është që prokurimi publik të jetë i parashikueshëm, transparent dhe i aksesueshëm, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Besojmë se vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me biznesin mund të ndërtojmë një sistem që funksionon në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve”, u shpreh Pogaj.

Sipas të dhënave të prezantuara në forum, gjatë 21 muajve të aktivitetit të tij, OBP ka zhvilluar rreth 1000 procedura për 216 institucione publike në afro 40 fusha të ndryshme, duke kursyer rreth 35.5 milionë euro për buxhetin e shtetit.

Në diskutime, përfaqësues të biznesit ngritën shqetësime lidhur me kriteret dhe procedurat, duke kërkuar më shumë qartësi dhe parashikueshmëri në tenderë. Mes tyre ishte edhe Arben Shkodra, i cili theksoi nevojën për dialog të vazhdueshëm mes institucioneve dhe sipërmarrjes.

“Biznesi ka nevojë për rregulla të qarta, procedura të standardizuara dhe parashikueshmëri. Forume të tilla krijojnë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar besim dhe për të adresuar konkretisht barrierat që hasen në praktikë”, u shpreh Shkodra.