Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedonia e Veriut, ku u prit nga homologja e tij, Gordana Siljanovska-Davkova. Në fokus të takimit ishin të drejtat e shqiptarëve, integrimi europian dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj theksoi se zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është element kyç për stabilitetin dhe perspektivën europiane të vendit fqinj, duke nënvizuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe kontribues konstruktiv.
“Si president i Shqipërisë, duhet të flisja për rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribues, konstruktiv. Shqiptarët mbeten faktor kyç për stabilitetin politik. Shqipëria e konsideron historike Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ne besojmë se përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizmit të barazisë janë elementë kryesorë për stabilitetin dhe perspektivën europiane”, u shpreh Begaj.
Ai shtoi se integrimi në Bashkimin Europian është objektiv i përbashkët i të dy vendeve, me synimin për të mbyllur kapitujt negociues deri në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030. Begaj vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se dy vendet përballen me sfida të përbashkëta në këtë drejtim.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij iu kushtua edhe projektit strategjik të Korridori VIII, të cilin e cilësoi si simbol të një epoke të re bashkëpunimi.
“Korridori VIII është energjetik, hekurudhor dhe rrugor, dhe mbi të gjitha korridor i sigurisë evropiane që lidh Mesdheun me Detin e Zi, duke i vendosur dy vendet tona në zemër të këtij aksi strategjik”, theksoi presidenti shqiptar.
Nga ana e saj, presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se në një kohë pasigurish politike dhe sfidash për sigurinë europiane, forcimi i bashkëpunimit është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ajo që është e rëndësishme në këtë botë të pasigurt është lidhja e dyanshme e politikës së jashtme dhe të sigurisë mes BE-së dhe vendeve të tjera. Kjo na bën më rezistentë. Gjithmonë kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim kontribut në ruajtjen e paqes”, u shpreh ajo.
Presidentja theksoi se pakicat etnike përbëjnë ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve, duke përfshirë pakicën maqedonase në Shqipëri dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, ky realitet përbën një bazë të fortë për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh.
Në vizitë mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Tiranës, si sinjal për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës, ndërsa të dy palët shprehën angazhimin për të krijuar sinergji të reja në energjinë e gjelbër, ekonominë digjitale dhe lehtësimin e lëvizjes në pikat kufitare.
