Vendosni fjalën kyçe....

Kryeprokurorja West: Thaçi akuzohet se ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës


Në Gjykatën Speciale sot po mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Të pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza pretendon se për disa muaj gjatë vitit 2023 ata kanë ndikuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryeprokurorja Kimberly West nisi fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke e akuzuar Thaçin dhe katër të akuzuarit të tjerë për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale, shkruan REL.

“Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti”, tha ajo.

“Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime”, shtoi West.