Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e prekim SPAK dhe GJKKO”, Rama rendit prioritetet për ndryshimet në drejtësi


Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama deklaroi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk do të cenohet, duke theksuar se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të preken nga ndërhyrjet ligjore që po përgatiten në kuadër të reformës në drejtësi.

Rama e cilësoi reformën në drejtësi si një investim strategjik të Partisë Socialiste për një ndryshim të pakthyeshëm historik, duke theksuar se pavarësia gjyqësore do të forcohet dhe jo të dobësohet.

“Asnjë hap pas, pavarësia gjyqësore nuk preket, vetëm forcohet. SPAK nuk preket, vetëm mbështetet”, u shpreh ai.

Kryeministri renditi disa prej fushave ku do të përqendrohen ndryshimet, duke përmendur politikën penale, procedurat penale, garancitë juridike për nëpunësit civilë, dënimet alternative, si dhe përcaktimin më të qartë të kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative.

Sipas tij, në plan të parë do të vendoset forcimi i prezumimit të pafajësisë si parim themelor i shtetit të së drejtës.

“Të gjithë në këtu do ta mbajmë parasysh beben, para se të derdhim ujin e pistë, që do ta derdhim. Sepse reforma në drejtësi ehte investim strategjik i PS, për një ndryshim të pakthyeshëm historik në plot kuptimin e fjalës si pavarësimi i drejtësisë dhe çdo vendim i yni si ligjvënës që zotërojnë jo rastësisht. Thonë që kur populli zgjedh, populli ndjen dhe është ajo që populli ndjen që shtyn rezultatin në drejtime të caktuara që ndonjëherë i befasojnë të gjithë ata që i shohin gjërat nga lartë dhe jo nga poshtë siç i sheh njeriu i zakonshëm. Por, ne si zotërues të kësaj shumice të cilësuar, në lidhje me sistemin e drejtësisë duhet të udhëhiqemi nga kjo e vërtetë e madhe. Drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i PS për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap pas, pavarësia gjyqësore nuk preket, vetëm forcohet, SPAK nuk preke, vetëm mbështetet. Hapa para po, pa asnjë diskutim. Politika penale, procedurat penale, garanci juridike për nënpunësit civil, dënimet alternative, ravijëzimi i kufijve me çështjeve penale dhe administrative, se janë bërë si ato vijat e bardhat që kanë vetëm namin po jo nishanin. Në rashën më të parë, ngritja e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë jo vetëm si parim universal i lirisë dhe të drejtave të njeriut, si domosdoshmëri shoqërore për një vend si i yni që ka dalë nga një traumë dehumanizimi, pasojat e s cilës luajnë ende sot rolin e tyre në jetën e sotme institucionale të vendit. Janë çështje tonat, janë përgjegjësi e jona.”- u shpreh Rama.

Rama u ndal edhe te problematika e të paraburgosurve, duke deklaruar se 58% e personave në burg ndodhen pa një vendim përfundimtar gjykate. Ai tha se ky është një realitet shqetësues që e rendit Shqipërinë në fund të listës për raportin mes dënimeve dhe pafajësive, duke e cilësuar këtë një përgjegjësi që i takon politikës ta adresojë.

Sipas tij, procesi i hartimit të ndryshimeve po realizohet me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë. Rama bëri të ditur se janë angazhuar ministritë e drejtësisë të Italisë dhe Francës, si dhe ekspertë të Këshilli i Evropës, ndërsa dokumenti i ndryshimeve do të diskutohet edhe me Komisioni Evropian.

Ai theksoi se kjo është një tematikë e vendosur në rendin e ditës nga vetë mazhoranca dhe se përgjegjësia për adresimin e problematikave në sistemin e drejtësisë i takon asaj si forcë qeverisëse.

“Ata 58% shqiptarësh që rrinë në burg pa gjyq janë çështja jonë. Ai numër rrëqethës që e vendos Shqipërinë të parafundit, gjysmë hapi para Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pa fajësimeve, është çështja jonë, përgjegjësia jonë, këto nuk na i merr dot askush. Për këto duhet ti përgjigjemi ne në radhë të parë gjithkujt. Është një tematikë e vetëvendosur në rendin tonë të ditës, prandaj jemi angazhuar si fillim me ministritë e drejtësisë të Italisë dhe Francës, na kanë vënë në dispozicion një rrjet ekspertësh më të mirët që ata kanë në fushën e politikës penale, me KiE që na ka vënë në dispozicion ekspertët e vet, për të hartuar dokument ndryshimesh lidhur me procedurat penale, që do e diskutojmë edhe me KE”, tha Rama.