
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka denoncuar tregtimin me informacion të brendshëm në Kongres gjatë fjalimit të tij, duke i bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë “pa vonesë” Aktin për Ndalimin e Tregtimit me Informacion të Brendshëm (Stop Insider Trading Act), ndërsa sulmoi edhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
“Le të sigurohemi që anëtarët e Kongresit të mos përfitojnë në mënyrë korruptive nga përdorimi i informacionit të brendshëm,” tha Trump, çka bëri që ligjvënës nga të dyja partitë të ngriheshin në këmbë për ta duartrokitur.
Më pas ai shtoi me ironi: “U ngritën në këmbë për këtë. Nuk e besoj. Nuk e besoj. A u ngrit Nancy Pelosi — nëse është këtu? Nuk besoj.”
Projektligji Stop Insider Trading Act, i propozuar nga ligjvënësi republikan Bryan Steil, synon t’u ndalojë anëtarëve të Kongresit, bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre në varësi blerjen e aksioneve të tregtuara publikisht dhe kërkon njoftim paraprak publik për çdo shitje, duke shkuar përtej kërkesave të ligjit STOCK të vitit 2012 për raportim.
Një burim i njohur me situatën i tha Fox News se Nancy Pelosi po duartrokiste deri në momentin kur Trump e përmendi me emër.