Vendosni fjalën kyçe....

Asnjë afat për ndërhyrjen emergjente në Librazhd–Prrenjas, qarkullimi mbetet i bllokuar



Situata në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas vijon të mbetet alarmante, ndërsa ende nuk ka një afat konkret se kur do të nisë ndërtimi i segmentit të ri prej 1.3 kilometrash, që pritet të rikthejë normalitetin pas shkatërrimit katastrofik në zonën Arrat e Gurrës, në Dragostunjë.

Prej ditësh, qarkullimi nga Tirana drejt Juglindjes së vendit dhe anasjelltas është i pamundur, duke krijuar kaos për qytetarët, bizneset dhe transportin e mallrave. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë strategjike të këtij aksi, nuk është bërë publik një kalendar i qartë për nisjen dhe përfundimin e punimeve.

Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi se do të nisë ndërtimi i një segmenti alternativ prej 1.3 kilometrash, përgjatë hekurudhës dhe në shtratin e lumit Shkumbin, si zgjidhje emergjente për të rikthyer lidhjen me akset kombëtare Tiranë–Dragostunjë dhe Dragostunjë–Hotolisht.

Plani i ndërhyrjes parashikon:

  • Prishjen e urës ekzistuese për të lehtësuar ngarkesën në segmentin e dëmtuar;

  • Ndërtimin e një skarpate natyrale stabilizuese;

  • Sistemimin dhe disiplinimin e ujërave sipërfaqësore në zonën e rrëshqitjes.

“Ky aks është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës”, u shpreh Kozeli. Megjithatë, mungesa e një afati konkret kohor ka shtuar pasiguritë dhe pikëpyetjet mbi menaxhimin e emergjencës.

Çdo ditë pa ndërhyrje të dukshme në terren përkthehet në kosto ekonomike dhe vështirësi të shtuara për komunitetet përreth. Aksi Librazhd–Prrenjas mbetet një arterie jetike që lidh qendrën e vendit me Juglindjen, ndërsa rikthimi i plotë i qarkullimit vijon të mbetet i paqartë.