Vendosni fjalën kyçe....

Merz në Pekin: Gjermania kërkon bashkëpunim të drejtë me Kinën



Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi gjatë takimit me kryeministrin kinez Li Qiang se Gjermania synon thellimin e shkëmbimeve ekonomike me Kinën, por theksoi se bashkëpunimi duhet të jetë “i drejtë”, përcjell DW.

Në nisje të vizitës së tij të parë zyrtare në Pekin, Merz u shpreh se Berlini ka shqetësime konkrete lidhur me marrëdhëniet ekonomike dhe dëshiron të garantojë kushte të barabarta bashkëpunimi. Ai theksoi gjithashtu nevojën për komunikim të hapur mes dy vendeve.

Vizita vjen në një moment delikat për ekonominë gjermane, ndërsa Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, me një volum shkëmbimesh që tejkalon 250 miliardë euro në vitin 2025.

Nga ana e tij, Li Qiang i bëri thirrje Gjermanisë të kontribuojë në mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe multilateralizmit, duke iu referuar luftës tregtare të nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, e cila ka ndikuar sistemin global të tregtisë.

“Si dy nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe vende me ndikim të rëndësishëm, Kina dhe Gjermania duhet të forcojnë besimin në bashkëpunim, të mbrojnë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë, si dhe të ndërtojnë një sistem më të drejtë të qeverisjes globale”, deklaroi kryeministri kinez.

Vizita e Merz zhvillohet në një kohë kur Gjermania po rishikon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe po kërkon partnerë të rinj globalë. Kina ka tejkaluar SHBA-në si partneri më i rëndësishëm tregtar i Berlinit.

Megjithatë, marrëdhëniet tregtare kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Deficiti tregtar i Gjermanisë me Kinën arriti nivel rekord në vitin 2025, rreth 90 miliardë euro, sipas Institutit Ekonomik Gjerman, duke shënuar një rritje prej 30 miliardë euro krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, industria kineze po fiton terren në sektorë që tradicionalisht dominoheshin nga kompanitë gjermane. Industria automobilistike është shembulli më i dukshëm: ndërsa dikur prodhuesit gjermanë kishin sukses të madh në tregun kinez, tranzicioni drejt makinave elektrike ka ndryshuar balancat. Automjetet elektrike gjermane janë bërë më të shtrenjta në Kinë, ndërsa prodhuesit kinezë po eksportojnë modele më të lira drejt tregut evropian.