
Rreth 30 kamionë të tonazhit të rëndë kanë mbetur në pritje në pikën kufitare të Qafë Thanë për shkak të prishjes së segmentit rrugor që shërbente si itinerar kryesor drejt Elbasanit.
Si pasojë, shumë mjete janë detyruar të ndryshojnë rrugën dhe të kalojnë tranzit nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut, gjë që ka sjellë rritje të menjëhershme të fluksit në pikën kufitare dhe pritje të gjata për drejtuesit e kamionëve.
Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 1,510 shtetas dhe kanë dalë 1,703 shtetas nga pika kufitare, duke reflektuar një rritje të lëvizjes për shkak të devijimeve të detyruara të trafikut.
Autoritetet paralajmërojnë se situata pritet të vazhdojë derisa të riparohet segmenti rrugor i dëmtuar, ndërkohë që drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë këshillohen të planifikojnë udhëtimet për të shmangur pritjet e gjata.