Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet në kërkim 64-vjeçari shqiptar për sulm seksual në Greqi



Autoritetet policore greke kanë shpallur në kërkim 64-vjeçarin shqiptar Mark Preci, i akuzuar për sulm seksual ndaj një 25-vjeçareje me nevoja të veçanta në banesën e saj në Kypseli.

Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dielës, kur 64-vjeçari dyshohet se ka hyrë në shtëpinë ku jetojnë dy motra binjake me aftësi të kufizuara, në mungesë të nënës së tyre. Sipas dëshmisë së kësaj të fundit, ai ka ngacmuar seksualisht njërën prej vajzave dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj tjetrës.

Nëna ka deklaruar se ishte larguar për rreth 10 minuta në farmaci dhe, kur është kthyer, e ka gjetur autorin brenda banesës. Ajo pretendon se e ka goditur me një tigan për ta neutralizuar, por ai e ka sulmuar duke e goditur me grusht në sy, si edhe vajzën tjetër. Më pas, gruaja ka marrë një thikë dhe e ka ndjekur, duke e detyruar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Rasti ka shkaktuar shqetësim në zonë, ndërsa policia greke vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit dhe u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në arrestimin e tij.