
Skiatori amerikan Nick Goepper rrezikoi gjithçka në zbritjen e tij të fundit në finalen e halfpipe në Lojërat Olimpike Dimërore Milan Cortina 2026 Winter Olympics, por tentativa për medaljen e artë përfundoi me një rrëzim të fortë, përcjell Fox News.
35-vjeçari ndodhej në vendin e tretë dhe kishte mundësinë të ngjitej në krye të podiumit gjatë garës së zhvilluar në Livigno, Itali. Ai realizoi me sukses katër hedhjet e para, por në kërcimin e pestë dhe të fundit nuk arriti lartësinë e duhur dhe u përplas fort në buzë të halfpipe-it.
Goepper qëndroi për disa minuta i shtrirë në dëborë, ndërsa stafi mjekësor ndërhyri menjëherë. Pavarësisht përplasjes së rëndë, ai u ngrit në këmbë, dha shenjë me gishtin e madh dhe u largua vetë nga pista.
Situata u përkeqësua sportivisht për amerikanin kur kanadezi Brendan MacKay arriti të përmirësonte rezultatin e tij, duke e lënë Goepper jashtë podiumit dhe duke marrë medaljen e bronztë.
Megjithatë, për ekipin amerikan pati edhe lajm të mirë, pasi bashkëkombësi i tij Alex Ferreira fitoi medaljen e artë.
Goepper kishte hyrë në këto Lojëra me tre medalje olimpike të fituara më parë në Soçi, Pyeongchang dhe Pekin, por ende pa një medalje ari. Sipas transmetimit televiziv, truku që ai tentoi në zbritjen e fundit nuk ishte realizuar kurrë më parë në një garë zyrtare.
“Nuk kam asnjë pendesë”, u duk se tha ai teksa largohej nga mali, pas një gare që mund t’i kishte dhënë kulmin e karrierës.