
Policia e Krujës ka zbuluar një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, si dhe një sasi lënde narkotike në fshatin Zall, Fushë Krujë. Për rastin është shpallur në kërkim 49-vjeçari Ylli Zalla, i dyshuar si posedues i tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku mbaheshin armë zjarri. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, pranë banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
27 djegore;
3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
2 silenciatorë dhe 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia shpalli në kërkim 49-vjeçarin, i cili nga hetimet paraprake dyshohet se është poseduesi i arsenalit.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.