Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë po planifikonte Alex Soros në Mynih


Alex Soros, trashëgimtari i perandorisë së babait të tij, u takua me disa nga kundërshtarët kryesorë të presidentit të SHBA, Donald Trump, në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Përtej përqafimeve dhe shtrëngimeve të duarve, dukej syri i Soros është te zgjedhjet e vitit 2028.

Fundjava e Soros në Mynih ishte një uragan mundësish për foto me udhëheqës të NATO-s, shefa OJQ-sh dhe neoliberalë të tjerë të rreshtuar me kauzat e familjes së tij: zgjerimi i BE-së, kufijtë e hapur dhe rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Midis fotove të postuara në faqet e tij në rrjetet sociale, një koleksion fotosh bie në sy: një mbledhje midis Soros, Hillary Clinton, Nancy Pelosi, Guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom dhe Senatorëve Mark Kelly dhe Chris Murphy.

Që këta demokratë do takoheshin me Soros nuk është surprizë. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të familjes së tij janë donatori më i madh i partisë, duke kanalizuar 128 milionë dollarë për kandidatët demokratë përmes Democracy PAC në vitin 2022, dhe 67.5 milionë dollarë në vitin 2024, mbi donacionet për prokurorët e krahut të majtë dhe organizatat më të vogla liberale.

Megjithatë, asnjë nga pesë demokratët që ai takoi në Mynih nuk ka nevojë për paratë e tij këtë vit. Clinton dhe Pelosi janë tërhequr nga politika, Newsom ka shërbyer tashmë dy mandate si guvernator dhe nuk mund të kërkojë një tjetër, dhe Kelly e Murphy janë të dy të sigurt në Senat deri në vitin 2028. Ka shumë më tepër gjasa që çdo bisedë për financimin dhe strategjinë të jetë përqendruar në një betejë politike shumë më me peshë: zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sytë te trofeu

Newsom dhe Kelly janë pozicionuar të dy si pretendentë për nominimin demokrat në vitin 2028. Newsom besohet gjerësisht se është kandidati kryesor, dhe paçka se i ka shmangur pyetjet për ambiciet e tij presidenciale, ai ka punësuar një ekip të rrjeteve sociale për të thumbuar presidentin Donald Trump online, dhe përdori udhëtimin e tij në Mynih për t’u çimentuar si një “Anti-Trump” i krahut të majtë, duke shkuar deri aty sa të nënshkruante një marrëveshje për energjinë e pastër midis Kalifornisë dhe Britanisë së Madhe, dhe duke hyrë në një marrëveshje partneriteti të ngjashme me Ukrainën.

Në një diskutim mbi ndryshimet klimatike të premten, Newsom u tha udhëheqësve evropianë se “Trump do ikë pas tre vjetësh”, duke iu referuar Trump-it. Mesazhi ishte i qartë: për evropianët ngurrues për të bashkëpunuar me Shtëpinë e Bardhë të Trump-it, Kalifornia e Newsom-it është një qendër alternative e pushtetit në SHBA.

Udhëtimi i Kelly-t në Mynih gjithashtu i dha atij një mundësi për të çuar mesazhin e tij nga televizionet kabllore amerikane në skenën botërore. Astronauti në pension, i cili kohët e fundit u kërkoi trupave amerikane të mos zbatojnë urdhra “të paligjshëm” për të goditur anijet e dyshuara për drogë në Karaibe, sulmoi politikën e jashtme të Trump-it, duke akuzuar presidentin për “shkatërrimin” e NATO-s dhe duke e bërë SHBA-në “më të varfër dhe më pak të sigurt”.

Më pak se një ditë pas takimit me Soros, Kelly tha për BBC se do “shqyrtonte seriozisht” një garë për presidencën.

Zgjedhja e Soros

Newsom dhe Kelly kanë marrë të dy para nga familja Soros dhe Democracy PAC më parë, me George Soros që shpenzoi 1 milion dollarë për të mbrojtur Newsom-in nga një përpjekje për shkarkim në vitin 2021 dhe shkroi një çek prej 10 milionë dollarësh për fushatën e tij të rimodelimit të zonave zgjedhore në Kaliforni vitin e kaluar. Nëse do jetë e suksesshme, fushata e rimodelimit të zonave mund të nxjerrë gjashtë republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve.

George Soros, 95 vjeç, ia kaloi kontrollin e perandorisë së tij filantropike djalit të tij Alex në vitin 2023. Open Society Foundations që atëherë ka zvogëluar operacionet e saj në Evropë, me Alex që i tha Wall Street Journal se ai synonte të përqendrohej kryesisht në zgjedhjet amerikane.

“Aq sa do dëshiroja t’i hiqja paratë nga politika, për sa kohë që pala tjetër po e bën këtë, do na duhet ta bëjmë edhe ne,” i tha ai gazetës.

Sipas shifrave më të fundit të Forbes, Alex Soros kontrollon një pasuri prej 7.5 miliardë dollarësh dhe shpenzoi më shumë se 1 miliard dollarë për kauza politike në vitin 2024, duke e bërë atë filantropin e pestë më aktiv në SHBA.

Soros ka dhënë disa shenja jo fort delikate se do favorizonte Newsom-in në një primare hipotetike të vitit 2028.

“Kënaqësi që u takova me yllin e vërtetë të Forumit Ekonomik Botëror 2026, mikun tim Gavin Newsom,” shkroi ai në rrjetet sociale pas samitit të muajit të kaluar në Davos.

“Udhëheqësit botërorë mund të merrnin një shembull nga Newsom. Është koha të qëndrojmë kokëlartë, të qëndrojmë të vendosur dhe të qëndrojmë të bashkuar – përpara se të jetë tepër vonë.”

Çuditërisht mungonte në takimin në Mynih kongresmenia e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, një figurë që Soros e përshkroi vitin e kaluar si një kandidate “të shkëlqyer” për të udhëhequr partinë Demokratike. Ocasio-Cortez foli në Forumin e Sigurisë në Mynih për “rritjen e populizmit”, por e anashkaloi mbledhjen e Soros. Mungesa e saj mund të pasqyrojë një përjashtim taktik nga Soros: Edhe pse AOC është padyshim figura kryesore e krahut progresiv të partisë, përshkrimi i saj të premten për luftën e Izraelit në Gaza si një “gjenocid” mund të ketë tronditur donatorët pro-Izraelit.

Me më shumë se dy vjet deri në zgjedhjet e vitit 2028, mbetet e paqartë nëse Newsom do hyjë në garë. Nëse po, është edhe më pak e qartë nëse ai mund të fitonte një primare demokratike. Sondazhet e tanishme tregojnë ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris duke udhëhequr në një primare hipotetike me 38% të votave, e ndjekur nga Newsom me 13%, dhe Kelly që pason me 3%.

Megjithatë, Soros ka të ngjarë të financojë cilindo kandidat që demokratët do zgjedhin. Soros dhuroi gati 3 milionë dollarë për Super PAC-un kryesor që mbështeste ish-presidentin Joe Biden dhe Harris në vitin 2024, dhe Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur kanë dhuruar 4.5 milionë dollarë për “People For the American Way”, organizata që drejton llogarinë e rrjeteve sociale ‘Headquarters’ të Harris, të rihapur së fundmi.

Për një donator aq aktiv sa Alex Soros, nuk ka rezultate të këqija. Secili prej pesë demokratëve që ai takoi në Mynih, plus Harris, i detyrohen karrierën e tyre atij në një farë mase. Por ndërsa secili prej këtyre kandidatëve do çonte para interesat e tij brenda vendit, Newsom ka treguar një avantazh kritik: ai ka arritur statusin e superstarit në skenën ndërkombëtare, shkruan Rt.

“Shumë i lumtur që ai është këtu duke u kërkuar llogari udhëheqësve botërorë që besojnë ende se qëndrimi në mbrojtje funksionon kur bëhet fjalë për Trump-in,” shkroi Soros pas takimit me Newsom-in në Davos. Nëse ka një arsye pse Newsom mori përqafimin dhe të tjerët shtrëngimin e duarve, është se tani për tani, guvernatori është investimi më premtues i Soros.