Vendosni fjalën kyçe....

BE paralajmëron ndalim të plotë të shërbimeve detare për cisternat ruse nëse G7 nuk arrin marrëveshje


Bashkimi Europian ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga miratimi i një ndalimi të plotë të shërbimeve detare për cisternat ruse të naftës, nëse vendet e G7-ës nuk arrijnë një marrëveshje të përbashkët për masa të reja kundër Kremlinit, përcjell Euronews.

Komisioneri europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, deklaroi pas takimit të ministrave të Financave në Bruksel se koordinimi me partnerët e G7-ës është i dëshirueshëm, por jo kusht absolut. “Nuk do të hezitojmë të ndërmarrim hapa në nivel të BE-së nëse një marrëveshje më e gjerë nuk arrihet”, tha ai.

Brukseli synon që paketa e 20-të e sanksioneve të miratohet deri më 24 shkurt, kur shënohet katërvjetori i nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Nëse ndalimi i plotë i shërbimeve detare hyn në fuqi, mekanizmi i kufirit të çmimit për naftën ruse – i zbatuar nga G7 që prej dhjetorit 2022 dhe i rregulluar së fundmi në 44.10 dollarë për fuçi – do të pushojë së funksionuari brenda juridiksionit të BE-së, pasi kompanitë europiane do të ndalohen të ofrojnë çdo shërbim për cisternat ruse, pavarësisht çmimit të shitjes.

Megjithatë, mbetet e paqartë sa vende të G7-ës janë të gatshme të ndjekin të njëjtin hap. Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë konfirmuar se janë në dijeni të propozimit dhe po vijojnë diskutimet me partnerët, ndërsa SHBA dhe Japonia nuk kanë reaguar publikisht.

Brenda BE-së, Greqia – me një industri të fuqishme detare – ka shprehur shqetësime se ndalimi i plotë mund të rrisë konkurrencën nga India dhe Kina, të fuqizojë “flotën në hije” të Rusisë dhe të inkurajojë çregjistrimin e anijeve për të shmangur sanksionet.

Paketa e re përfshin gjithashtu aktivizimin për herë të parë të Mekanizmit Kundër Anashkalimit, që synon të kufizojë eksportin e pajisjeve të prodhuara në BE drejt vendeve ku ekziston rreziku i rishitjes së tyre në Rusi. Në këtë kuadër është vënë në fokus Kirgistani, pas rritjes së ndjeshme të tregtisë me BE-në që nga nisja e luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, António Costa, pritet të udhëtojnë drejt Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë sërish thirrje për shtimin e presionit ekonomik ndaj Rusisë, përfshirë sektorin bërthamor, i cili deri më tani ka mbetur jashtë paketave të sanksioneve për shkak të kundërshtimeve nga disa shtete anëtare.