Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Socialistët po ligjërojnë kapjen e shtetit me ligjin për Qeverisjen Elektronike


Deputetja e PD-së Tabaku shprehu shqetësimin mbi miratimit e ligjit për Qeverisjen Elektronike si një përpjekje të nxituar për të shmangur përgjegjësinë dhe hetimin.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ajo thotë se projektligji krijon një strukturë të re biznesi që do veprojë dhe mirëmbajë të gjithë sistemet dhe të dhënat e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë databaza shtetërore, të dhëna personale, dosje hetimore dhe sisteme të ndjeshme si TIMS.

“Së fundmi, me një shpejtësi të jashtëzakonshme,  me shpejtësinë e atyre që duan t’i shpëtojnë ligjit, të mbrojnë veten nga hetimi, në Parlamentin e Shqipërisë është duke u diskutuar ligji për Qeverisjen Elektronike. Ligji i qeverisjes elektronike krijon një biznes i cili do ketë në dorë të operojë, të mirëmbajë të gjithë sistemet, të gjithë të dhënat e Republikës së Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo? Nëse deri dje një individ po e kryente këtë në mënyrë jo ligjore, tashmë është ligjëruar ta bëjë këtë.” – thotë Tabaku.

Deputetja demokrate e lidh këtë zhvillim me hetimet e mëparshme për menaxhimin e tenderave në fushën e teknologjisë, duke argumentuar se në vend që të ketë auditim dhe transparencë, po krijohet një mekanizëm i ri që formalizon atë që më parë ishte nën akuzë.

Ajo paralajmëron se rreziku shkon përtej tenderave duke qenë se ëhet fjalë për qasjen dhe kontrollin mbi të dhënat personale të qytetarëve dhe informacionin strategjik të shtetit.

“Në qoftë se deri dje një grup i strukturuar kriminal menaxhonte tenderat, i ndante tenderat, tashmë do ta bëjë këtë në mënyrë ligjore, nëpërmjet ligjit që po debatohet. Nëse deri dje të dhënat personale të shqiptarëve ishin të rrezikuara, sot janë të ligjëruara që t’i kenë e t’i fusin duart tek të dhënat e shqiptarëve.Ky është shtet i kapur. Këtë duhet ta ndryshojmë. Nuk na duhet një Republikë e të Korruptuarve. Nuk na duhet një qeveri e të korruptuarve. Na duhet Republika e Shqipërisë, të drejtat që kanë e që duhet të kenë qytetarët e Shqipërisë.” – përfundon Tabaku.