
Në vijim të debatit për projektligjin e Qeverisjes Elektronike në Komisionin e Ligjeve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e thelloi kritikën e saj duke ngritur dy çështje thelbësore: mungesën e auditimit në AKSHI dhe kalimin e infrastrukturës kritike në një strukturë me elementë privatë.
Tabaku theksoi se, pavarësisht hetimeve dhe akuzave të ngritura për tenderat e teknologjisë, nuk ka pasur asnjë auditim të plotë e të pavarur mbi mënyrën si janë shpenzuar fondet publike.
Sipas saj, përpara se të krijohen struktura të reja apo të zhvendosen kompetenca, duhet të bëhet transparencë e plotë mbi 500 milionë euro të menaxhuara ndër vite.
“Ato tendera 500 milionë euro që jepte AKSHI, që deri dje – ashtu siç thotë edhe SPAK – janë dhënë nga një grup i strukturuar kriminal,” – deklaroi Tabaku në komision .
Deputetja shtroi pyetjen thelbësore: nëse një institucion është nën akuzë për shpërdorim dhe lidhje kriminale, përse nuk kryhet më parë një audit i thelluar financiar, teknik dhe i sigurisë? Për Tabakun, mungesa e auditimit krijon dyshime të forta se reforma synon të zhvendosë përgjegjësinë, jo ta sqarojë atë.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për kalimin e infrastrukturës kritike digjitale – databazat, sistemet shtetërore, rrjetet e komunikimit – në një shoqëri aksionere me përfshirje private.
“Kush do të kujdeset për sigurinë kombëtare? Kush do të kujdeset për të dhënat e shqiptarëve që mos dalin sheshit?” – pyeti Tabaku .
Sipas saj, në vendet e Bashkimit Europian infrastruktura kritike digjitale është 100% nën kontroll shtetëror, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave dhe implikimeve për sigurinë kombëtare. Transferimi i saj në një strukturë hibride publik-privat, pa garanci të qarta dhe pa konsultim me autoritetet e mbrojtjes së të dhënave, përbën një precedent të rrezikshëm.
Në përfundim, Tabaku e lidhi këtë zhvillim me një model më të gjerë qeverisjeje që, sipas saj, po e dobëson kontrollin parlamentar.
“Ligje që e kanë kthyer parlamentin në noter,” – theksoi ajo, duke shtuar se kjo nismë është një hap tjetër drejt institucionalizimit të pandëshkueshmërisë