
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Prishtina, një ditë para shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, duke sulmuar ashpër procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Rama e cilësoi Prokurorinë Speciale si “prokurori idiote”, duke deklaruar se ajo është kthyer në instrument politik “edhe më shumë se gjykatat në Serbi” në raport me Kosovën. Ai tha se kërkesat për dënime deri në 45 vite burg ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së janë “absurde” dhe përbëjnë, sipas tij, një katastrofë për drejtësinë ndërkombëtare.
“Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin këtë katastrofë për Europën dhe botën demokratike, për 4 njerëz krejtësisht të pafajshëm. Kjo bën fatkeqësisht që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë! Nuk e kam përgjigjen për këtë”, u shpreh Rama.
Kryeministri krahasoi situatën me dënimet ndaj figurave si Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, të dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid, duke theksuar se, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së nuk mund të vendosen në të njëjtin nivel me autorë të masakrave dhe spastrimeve etnike.
“Ata nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një të tillë. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr sundimin e të huajve në tokën e tyre”, tha Rama.
Ai kujtoi se vetë Parlamenti i Kosovës votoi krijimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se në letër ajo është gjykatë e Kosovës dhe jo tribunal kundër shtetit të Kosovës.
Rama përmendi gjithashtu raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për pretendime mbi trafikim organesh, duke e cilësuar atë “famëkeq” dhe duke deklaruar se akuza të tilla nuk janë provuar.
Ai shtoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte kthyer nga rruga drejt një takimi në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën kujdesin e Donald Trump, duke pretenduar se “që nga ai moment presidenti i Kosovës është marrë peng”.
Në përfundim, Rama deklaroi se edhe presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, është përballur me presione për shkak të qëndrimeve të saj lidhur me veprimet e prokurorëve të specializuar.