
Izraeli lëshoi sulme ajrore në mbarë Rripin e Gazës këtë të diel, duke vrarë të paktën 11 palestinezë, sipas zyrtarëve palestinezë, në atë që ushtria e quajti një përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga grupi militant palestinez, Hamas.
Mjekët në Gazë njoftuan se një sulm ajror izraelit mbi një kamp me çadra që strehonte familje të zhvendosura vrau të paktën katër persona, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë deklaruam se një tjetër sulm vrau pesë persona në Khan Younis në jug, dhe një person tjetër u qëllua për vdekje në veri.
Sulmet ajrore shënjestruan gjithashtu atë që mendohej të ishte një komandant i grupit të Xhihadit Islamik, aleat i Hamasit, në lagjen Tel Al-Hawa në qytetin e Gazës.
Hazem Qassem, zëdhënësi i Hamasit në Gazë, akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre” të re kundër palestinezëve të zhvendosur, duke e quajtur këtë një shkelje serioze të armëpushimit, vetëm pak ditë përpara takimit të parë të Bordit të Paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shkruan Reuters.
Një zyrtar ushtarak izraelit i cilësoi sulmet e së dielës si “precize” dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke deklaruar se grupi militant palestinez kishte shkelur vazhdimisht armëpushimin e tetorit.
Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, i cili është një element kyç i planit të Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Gazë — lufta më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në konfliktin disabreznish izraelito-palestinez.