Vendosni fjalën kyçe....

DASH urdhëron bibliotekat publike të ndërpresin procesimin e pasaportave


Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka urdhëruar disa biblioteka publike në mbarë vendin që të ndërpresin procesimin e aplikimeve për pasaporta. Ky vendim ka ndërprerë një shërbim afatgjatë, për të cilin bibliotekarët thonë se komunitetet e tyre mbështeteshin dhe i cili kishte funksionuar pa probleme prej vitesh.

Agjencia, e cila rregullon pasaportat amerikane, filloi lëshimin e urdhrave për ndërprerjen e punës (cease and desist) ndaj bibliotekave jofitimprurëse në fund të vjeshtës, duke i informuar ato se, që nga e prmteja, nuk ishin më të autorizuara të merrnin pjesë në programin e Pranimit të Pasaportave.

“Ne marrim ende thirrje çdo ditë nga njerëz që kërkojnë këtë shërbim,” tha Cathleen Special, drejtoreshë ekzekutive e Bibliotekës Otis në Norwich, Connecticut, ku shërbimet e pasaportave u ofruan për 18 vjet, por u ndërprenë në nëntor pas marrjes së letrës. “Komuniteti ynë ishte shumë i mësuar me këtë shërbim.”

Arsyeja ligjore

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se urdhri u dha sepse ligji dhe rregulloret federale “ndalojnë qartë organizatat joqeveritare” të mbledhin dhe mbajnë tarifat për një aplikim pasaporte. Bibliotekat që administrohen nga qeveria nuk preken nga ky vendim.

Zëdhënësi nuk iu përgjigj pyetjeve se pse kjo u bë problem pikërisht tani dhe se sa biblioteka saktësisht janë prekur. Në një deklaratë, ata thanë: “shërbimi i pasaportave ka mbi 7,500 qendra pranimi në mbarë vendin dhe numri i bibliotekave që rezultuan të papërshtatshme përbën më pak se një për qind të rrjetit tonë total.”

Shkalla e ndikimit

Shoqata Amerikane e Bibliotekave (ALA) vlerëson se rreth 1,400 biblioteka publike, kryesisht jofitimprurëse, mund të preken potencialisht në mbarë vendin, ose rreth 15% e të gjitha bibliotekave publike, varësisht se sa prej tyre ofrojnë aktualisht shërbime pasaportash.

Anëtarët demokratë dhe republikanë të Kongresit nga Connecticut, Pennsylvania, New York, New Jersey dhe Maryland po kundërshtojnë vendimin. Ata i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, këtë muaj, duke i kërkuar atij të zgjasë programin ekzistues derisa Kongresi të gjejë një zgjidhje të përhershme, shkruan AP.