Vendosni fjalën kyçe....

Studimi i ri pretendon se pirja e kanabisit ka efekte pozitive për trurin


Njerëzit që kanë përdorur kanabis në çfarëdo faze gjatë jetës së tyre shfaqin vëllime më të mëdha në rajonet e trurit të lidhura me kujtesën, mësimin dhe funksionin ekzekutiv në kohën kur arrijnë moshën e mesme, tregon një kërkim i ri. Megjithatë, si me të gjitha studimet që lidhin përdorimin e “barit” me rezultatet kognitive, këto gjetje vijnë me disa paralajmërime, pasi ekzistojnë variabla të shumtë që ndërlikojnë efektet shëndetësore afatgjata të përdorimit të kanabisit.

Sidoqoftë, rezultatet e këtij studimi të fundit janë të rëndësishme, veçanërisht duke pasur parasysh forcën e sinjalit pozitiv të zbuluar nga kërkuesit. Duke përdorur të dhëna nga mbi 25,000 njerëz të moshës midis 40 dhe 77 vjeç, ata zbuluan se përdorimi i moderuar i kanabisit gjatë jetës ka lidhje me rritjen e madhësisë në hipokampus, amigdalë, bërthamën kaudate dhe putamen.

Duke qenë se këto rajone të trurit janë të lidhura me atribute kyçe si emocioni, kontrolli motorik dhe kujtesa, kërkuesit vendosën të hetojnë se si përdorimi i kanabisit ndikon në njohjen nga mosha e mesme e tutje. Duke ekzaminuar të dhënat nga 16,728 individë, ata zbuluan se, përdorimi i moderuar ishte i lidhur me paraqitjen më të mirë në detyrat që përfshijnë mësimin, shpejtësinë e procesimit dhe kujtesën afatshkurtër.

“Isha pak e befasuar që çdo masë njohëse  që tregoi një efekt domethënës, shfaqi një paraqitje më të mirë midis përdoruesve të kanabisit,” tha autorja e studimit Anika Guha në një deklaratë.

“Kjo bie ndesh me supozimet tuaja të parazgjedhura, sepse mendoj se shumë kërkime atje kanë treguar se kanabisi shoqërohet me funksion njohës më të keq, të paktën në mënyrë akute.”

Kërkuesit sugjerojnë se ndërkohë që përdorimi i kanabisit mund të paraqesë rreziqe për adoleshentët, këto dëme nuk duket se vazhdojnë më vonë në jetë. Përkundrazi, kanabisi mund ta mbrojë trurin kundër atrofisë së lidhur me moshën dhe neurodegjenerimit, të cilat janë fort të lidhura me rënien njohëse dhe demencën.

Në këtë fazë, është e paqartë se si droga ushtron këto efekte pozitive, megjithëse është e rëndësishme të theksohet se të gjitha rajonet e trurit të ekzaminuara në këtë studim përmbajnë përqendrime të larta të receptorëve CB1, të cilët përfaqësojnë vendin parësor të lidhjes për kanabinoidët si tetrahidrokanabinoli (THC). Autorët spekulojnë se aktivizimi i këtij receptori mund të parandalojë tkurrjen e trurit duke moduluar inflamacionin, funksionin imunitar ose neurodegjenerimin.

Për më tepër, shumë nga këto rajone janë veçanërisht të prirura ndaj atrofisë më vonë në jetë, ku humbja e vëllimit në hipokampus mendohet se luan një rol madhor në demencë. Si rrjedhojë, kërkuesit sugjerojnë me rezerva se kanabisi mund të ndihmojë në parandalimin e llojeve të caktuara të rënies kognitive.

Në përgjithësi, korrelacioni midis përdorimit të kanabisit dhe vëllimit të shtuar të trurit e njohjes së përmirësuar ishte më i fortë te njerëzit që kishin konsumuar drogën në mënyrë të moderuar gjatë jetës së tyre. Çuditërisht, efektet pozitive u panë edhe te ata që nuk kishin përdorur “bar” për disa dekada përpara vlerësimit, shkruan Ifl.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, autorët e studimit theksojnë se ka ende shumë të panjohura. Për shembull, përdorimi i kanabinoidëve duket se prek trurin e meshkujve dhe femrave në mënyrë të ndryshme, dhe arsyet për këtë nuk janë plotësisht të qarta.

Gjithashtu, të dhënat dështojnë të kapin detaje të llojit ose fuqisë së kanabisit që njerëzit përdorën. Kërkuesit janë të paaftë të ofrojnë ndonjë pasqyrë se si kanabinoidë të ndryshëm – si THC, kanabidioli (CBD) ose kanabigeroli (CBG) – mund të përfshihen në ndërmjetësimin e dëmeve dhe përfitimeve të përdorimit të bimës.

Si përfundim, tabloja është larg të qenit e thjeshtë dhe autorët e studimit konkludojnë se “kanabisi mund të ndikojë në shëndetin e trurit në mënyrë të ndryshme përgjatë jetëgjatësisë, duke ofruar potencialisht efekte mbrojtëse në moshë të shtyrë, ndërsa paraqet rreziqe më herët në zhvillim.”