
Kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi se do lëvizë për të zhdukur ato që ai i përshkroi si forca “të rreme” të opozitës të financuara nga Brukseli, nëse votuesit e rikthejnë atë në pushtet në zgjedhjet kombëtare pas tetë javësh.
Orbán e përshkroi partinë opozitare Tisza, e cila mban një avantazh të konsiderueshëm në shumicën e sondazheve të pavarura, si një “krijesë” të Bashkimit Evropian dhe politikanëve gjermanë në Bruksel, që sipas tij, do shtronte rrugën për dërgimin e hungarezëve në luftë në Ukrainë.
“Makineria e shtypjes së Brukselit po bën punën e saj në Hungari dhe ne do duhet ta pastrojmë këtë pas prillit,” tha Orbán në një fjalim fushate në Budapest të shtunën.
“OJQ të rreme, gazetarë të blerë, gjyqtarë, politikanë, algoritme, burokratë, miliona euro që qarkullojnë…kjo është ajo që do të thotë Brukseli në Hungari sot.”
Fjalimi, i mbajtur para një audience të ftuar dhe i transmetuar në faqen e Orbán në Facebook vjen teksa partia e tij populiste Fidesz hyn në fazën finale të fushatës përpara votimit të 12 prillit.
Kryeministri akuzoi gjithashtu gjigantin e naftës Shell Plc, ish-punëdhënësin e këshilltarit kryesor ekonomik të Tisza-s, István Kapitány, dhe bankën austriake Erste Group Bank AG, për mbështetje të opozitës dhe përfitim nga çmimet e larta të energjisë si rezultat i sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
“Ata bëjnë para nga lufta,” tha Orbán. “Ata janë mbledhësit e taksës së vdekjes; ata janë nxitësit e luftës.”
Shell refuzoi të komentonte, ndërsa dega hungareze e Erste iu referua një deklarate të lëshuar për mediat lokale ku thuhej se banka kundërshtonte çdo luftë dhe dhunë.
Lideri i Tisza-s, Péter Magyar, një ish-pjesëtar i rrethit të ngushtë të Fidesz, pritet të flasë në një tubim të dielën pas pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ishte planifikuar të takohej me Kryeministrin polak Donald Tusk dhe Kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Raportet e kësaj jave për emetime toksike të rrezikshme në një fabrikë baterish të Samsung, e cilësuar nga Fidesz si një investim strategjik, i kanë dhënë opozitës një tjetër pikë sulmi, shkruan Bloomberg.